Pezulloi ndeshjen pas sherrit masiv, gjyqtarja italiane braktiset dhe mbyllet brenda stadiumit

schedule15:09 - 10 Shkurt, 2023

schedule 15:09 - 10 Shkurt, 2023

Një gjyqtare e re u mbyll brenda stadiumit pasi pezulloi një ndeshje për të rinjtë. Episodi fatkeq ka ndodhur në provincën e Brescias, në ndeshjen mes Darfo Boarios dhe Carpenedolo, e cila u pezullua pas sherrit ku u përfshinë disa drejtues dhe disa djem të dy skuadrave.

Sipas raportit, goditjet dhe grushtet kanë fluturar përpara vendimit të gjyqtares për të ndërprerë ndeshjen dhe për t’u kthyer e përlotur më pas në dhomat e zhveshjes, e rrethuar nga dy skuadrat të cilat debatonin me të. Megjithatë, më e keqja nodhi kur doli nga dhomat e zhveshjes pas disa minutash dhe zbuloi se ishte mbyllur brenda në stadium dhe të gjithë ishin larguar.

“Kur doli nga dhoma e zhveshjes, ajo kuptoi se ishte braktisur dhe mbyllur brenda stadiumit”, shkruhej në njoftimin për shtyp të ligës kombëtare të amatorëve.

Nuk kanë munguar sanksionet për dy klubet dhe protagonistët e sherrit që solli vendimin për pezullimin e ndeshjes. Të dyja skuadrat e humbën ndeshjen në tavolinë. Dy persona u identifikuan dhe u skualifikuan deri më 22 mars, ndërsa Carpenedolo u gjobit me 200 euro dhe Darfo Boarios me 300 euro, për asistencë të papërshtatshme ndaj gjyqtares në fund të ndeshjes./ h.ll/abcnews.al