Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka pasur një “bisedë të hapur dhe miqësore” me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kështu shkroi ai në rrjetin social Instagram, pas takimit që pati më 6 shkurt në Beograd me emisarin evropian.
“Një bisedë e hapur dhe miqësore me Miroslav Lajcak. Kur them e hapur, me të vërtetë e mendoj këtë”, tha ai.
Para takimit, Vuçiq postoi një video-mesazh në Instagram, në të cilin tha se do të “vazhdojë të mbrojë Serbinë” dhe se Perëndimi “mund të ëndërrojë për njohjen reciproke” të Beogradit ndaj Prishtinës.
Paraprakisht mediat në Beograd kanë njoftuar se Vuçiqi në mbledhjen e sotme të Partisë Progresive serbe ka thënë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të parakohshme si kandidat për kryeministër dhe se “nuk do t’i dorëzohet shantazheve të Perëndimit, Partisë Socialiste të Serbisë (të Ivica Daçiqit) dhe djathtistëve të rrejshëm”.
Lajçak shkoi në Beograd, pasi takoi në Prishtinë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin tha se ka diskutuar “gjithçka” që lidhet me dialogun, por se diskutimi ka qenë i përqendruar te propozimi evropian.
Kurti: E pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
Kurti tha pas takimit se e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Propozimi i Bashkimit Evropian, që më herët njihej si plani franko-gjerman, ka marrë mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Javëne e kaluar, gjatë seancës në Kuvendin e Serbisë ku u diskutua për Kosovë, Presidenti i Serbisë përsëriti atë që i thanë diplomatët evropianë dhe amerikanë gjatë takimit në Beograd më 20 janar, se do të ketë pasoja nëse Serbia nuk e pranon planin evropian për Kosovën.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – që ka mbështetjen edhe të SHBA-së – që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.
Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL