Ish-kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka thënë se ka marrë premtim nga presidenti rus, Vladimir Putin që nuk do ta vrasë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Bennett ka shërbyer për periudhë të shkurtër si ndërmjetësues mes dy vendeve.
Ai madje ka qenë një prej liderëve të paktë që kanë takuar Putinin, pak javë pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Ndonëse përpjekjet e Bennettit për ndërmjetësim mes dy vendeve duket se kanë pasur pak rezultat në ndalje të luftimeve, disa deklarata të bëra në një intervistë të dielën, kanë vënë në pah diplomacinë dhe masat urgjente që janë marrë për të ulur shkallën e konfliktit në ditët e para.
Në një intervistë që ka zgjatur për pesë orë, Bennett ka prekur shumë tema, dhe më pas ka thënë se i ka kërkuar Putinit nëse synon ta vrasë Zelenskyn.
“E kam pyetur ‘si është puna më të? A jeni duke planifikuar vrasjen e Zelenskyt?’ Ai më ka thënë se ‘nuk do ta vrasë Zelenskyn’. Më pas i kam thënë që të më japë fjalën se nuk do ta vrasë Zelenskyn. Ai ka thënë se ‘nuk do ta vrasë Zelenskyn’”.
Bennett më pas ka thënë se e ka telefonuar Zelenskyn për ta informuar rreth premtimit të Putinit.
“Më dëgjo, dola prej takimit, ai nuk do të të vrasë. Ai më pyeti ‘a jeni i sigurt?’ I kam thënë se ai nuk do ta vrasë”.
Bennett ka thënë së gjatë ndërmjetësimit të tij, Putin ka hequr dorë nga kërkesa për çarmatosje të Ukrainës dhe Zelensky ka hequr dorë nga anëtarësimi i vendit të tij në NATO.
Bennet, një lider kryesisht i patestuar – meqë ka qëndruar në pushtet për gjashtë muaj – e ka zhytur veten në diplomaci ndërkombëtare pak pas nisjes së luftës, për shkak të lidhjeve që ka Izraeli me Rusinë dhe Ukrainën.
Izraeli ka lidhje të mira me Kremlinin dhe i konsideron ato si strategjike kur ka kërcënime nga Irani, mirëpo po ashtu mban anën e kombeve perëndimore dhe tenton të tregojë mbështetje edhe për Ukrainën.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën e nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar si “operacion special ushtarak”.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL