BE: Kosova duhet të formojë Asociacionin

schedule12:06 - 3 Shkurt, 2023

schedule 12:06 - 3 Shkurt, 2023

Bashkimi Evropian ka përsëritur kërkesën e tij që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë për kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku nuk i komenton “të gjitha prononcimet e të tjerëve”.

Ai tha se përsërit “urgjencën që për BE-në ka lëvizja përpara e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, një prej të cilave është edhe ajo për Asociacionin”.

Kurti, i cili deri më tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.

Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.

Kurti po ashtu ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun evropian. Kurti kushtëzoi themelimin e Asociacionit edhe me përfshirjen e tij në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka cilësuar “përrallë” kushtet për Asociacionin. Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.

BE-ja e ka thënë disa herë se marrëveshja e cila parasheh formimin e Asociacionit është obligim ndërkombëtarë i Kosovës dhe se ajo duhet të implementohet.

Edhe SHBA-ja e ka vlerësuar si prioritet kryesor formimin e Asociacionit dhe për këtë çështje ka organizuar edhe një diskutim më 31 janar.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e Asociacionit, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij Asociacioni.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se 23 pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, gjykata tha se ato mund të harmonizohen.​/REL

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!