Naftëmbajtësja zhduket në ngushticën e Hormuz

schedule13:40 - 17 Korrik, 2019

schedule 13:40 - 17 Korrik, 2019

Një naftëmbajtëse e Emirateve të Bashkuara arabe ka humbur kontaktet prej disa ditësh, në një kohë që autoritetet iraniane raportojnë se ajo është ankoruar në Iran pasi kishte avari. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana tjetër hedhin dyshime se bëhet fjalë për një sekuestrim.

Irani rimorkioi në një port të tij një naftëmbajtëse të Emirateve të Bashkuara Arabe që po kalonte transit në ngushticën e Hormuz. Agjencia e lajmeve Irna, duke cituar ministrin e Jashtëm dhe zëdhënësin e qeverisë, shkruan se anija tashmë ishte ankoruar.

Gjithsesi si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu dhe Emiratet e Bashkuara Arabe theksuan se anija kishte humbur kontaktet mbrëmjen e së shtunës. DYSHIMI I Shteteve të Bashkuara të Amerikës është se Irani ka sekuestruar anijen.

Naftëmbajtësja e vogël “Riah”, me flamur panamez, por me bazë në Emriatet e Bashkuara Arabe, ka fikur aparaturën e sinjaleve të shtunën dhe nuk ka kërkuar ndihmë. Ministri i Jashtëm iranian u shpreh se republika islamike kishte ndihmuar një naftëmbajtëse të huaj në avari, pa dhënë detaje të tjera.

Më pas një burim i mbrojtjes amerikane bëri të ditur se naftëmbajtësja ndodhej në ujëra iraniane në momentin e humbjes së sinjalit, në një zonë ku ndodhet dhe një bazë e pasdaranëve. Sipas tyre nëse heshtja vazhdon atëherë situata do të jetë shqetësuese.

Ngjarja ndodhi në një moment kur tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po përshkallëzohen për shkak të programit bërthamor, por dhe të incidenteve të tjera me naftëmbajtëse transit në ngushticën e Hormuz./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!