Greqi, qeveria nis emetimin e bondeve shtetërore

schedule13:20 - 17 Korrik, 2019

schedule 13:20 - 17 Korrik, 2019

Në përpjekje për t’u rikthyer në tregjet ndërkombëtare, qeveria greke ka nisur emetimin e obligacioneve shtetërore. Në këtë mënyrë ekzekutivi i shtetit helen shpreson që të arkëtojë të ardhura dhe të nxisë zhvillimin e biznesit vendas.

Greqia ka hapur të martën librin e ofertave për emetimin e një obligacioni 7-vjeçar, interesi paraprak i të cilit vlerësohet në 2.1 për qind. Synimi i qeverisë helene është që të arkëtojë të ardhura me vlerë 2,5 miliardë euro.

“Ndërkaq, ministria e financave konsideron si faktor më të rëndësishëm, jo aq shumën apo interesin, se sa kualitetin e investitorëve që do të përgjigjen. Synimi kryesor është që t’u jepet tregjeve një sinjal i qartë për kredibilitetin e obligacioneve shtetërore greke, çka mund të ndikojë pozitivisht në interesat e kreditimit të biznesit vendas”.

Enti për menaxhimin e borxhit publik ka arritur në përfundimin se momenti i tanishëm është më i përshtatshmi për një dalje të vendit në tregjet financiare. Në këtë aspekt ndikojnë kushtet e favorshme ndërkombëtare për shkak të relaksimit të politikës monetare dhe situatës pas zgjedhjeve të 7 Korrikut në Greqi.

Por sipas analistëve, ka shumë gjasa që në muajin Shtator të rikthehet një periudhë pasigurie për shkak të negociatave të Athinës me kreditorët. Gazeta “Financial Times” i referohet një studimi të Bankës Amerikane që konstaton se preferenca e investitorëve për obligacione nga vendet e Eurozonës, si Greqia, Italia dhe Spanja, ndodhet në nivelin më të lartë që prej rënies së krizës 10 vite më parë./ABC News Albania 24/7