Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se do të flasë me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky për kërkesat e këtij të fundit për ndihmë ushtarake shtesë.
“Ne do të flasim”, u tha ai një grupi gazetarësh në Shtëpinë e Bardhë, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me kërkesat e presidentit ukrainas, i cili kryesisht kërkon avionë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë për të luftuar Rusinë.
Dje të hënën, Joe Biden hodhi poshtë në mënyrë të thatë mundësinë e furnizimit të Ukrainës me avionë amerikanë. Në pyetjen “a do t’i ofrojnë Shtetet e Bashkuara F-16 Ukrainës?” ai u përgjigj: “Jo”.
Perëndimorët kanë rritur nivelin e ndihmës ushtarake që i ofrojnë Ukrainës pasi Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan dërgimin e tankeve, pas bisedimeve të ashpra.
Ushtria ukrainase do të marrë 120 deri në 140 tanke perëndimore , tha sot Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba, duke dhënë vlerësimin e parë të numrit të përgjithshëm të mjeteve të blinduara të rënda që pritet të dorëzohen në Ukrainë.
Volodymyr Zelensky po kërkon edhe më shumë ndihmë për dërgimin e raketave me rreze të gjatë dhe avionëve luftarakë.
Berlini tashmë e ka hedhur poshtë kategorikisht këtë ide, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi me kujdes se “sipas definicionit asgjë nuk përjashtohet”, duke siguruar se ukrainasit nuk i kanë paraqitur ende një kërkesë të tillë./abcnews.al/