Korigjimet e para të ligjeve të reformës në drejtësi, do të miratohen nga Kuvendi të enjten. Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, tha se këto nuk janë ndryshimet e fundit, dhe se ligjet mund të ndryshojnë sa herë nevoja ta kërkojë.
Për herë të parë, dy nga ligjet më kryesore të reformës në drejtësi, po ndryshohen.
Ligji për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe ai për organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë, u ndryshuan nga Komisioni i Ligjeve dhe të enjten do të miratohen në parlament. Ndryshimet u imponuan nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur ishte funksionale, rrëzoi 22 nene të këtyre ligjeve.
Deri më tani, procedimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të kryhej pasi nenet që rregullonin këtë procedurë ishin shfuqizuar. Çështje si ajo e gjyqtarëve që shpëtuan Dritan Dajtin nga burgu i përjetshëm, nuk do të ngelen më të pa hetuara për shkak të boshllëkut ligjor.
Për mazhorancën kjo nuk është hera e fundit që do të ndërhyhet tek reforma në drejtësi.
Miratimi i ndryshimeve kërkon 84 vota, dhe PS thotë se do të marrë mbështetjen e opozitës parlamentare.
Përmirësimi i reformës në drejtësi u nis bashkë me Partinë Demokratike, por largimi i opozitës nga Parlamenti i la rregullimet në dorë të mazhorancës.
Veç ndryshimeve kushtetuese, Partia Demokratike ka votuar vetëm një ligj të reformës: atë për ngritjen e gjykatës speciale dhe SPAK për hetimin e zyrtarëve të lartë./ABC News Albania 24/7