Dënimi i Skënderbeut ishte i rëndë, por i pritshëm. Kryeredaktori i gazetës “Panorama Sport’, Jetmir Halilaj, flet për vendimin e KAS-it dhe të ardhmen e klubit korçar.
U dënua më i miri dhe hamendësimet nuk mungojnë.
Ishte apo jo i pritshëm konfirmimi i ndëshkimit të Skënderbeut nga gjykata e arbitrazhit sportiv në Lozanë, dhe për më tepër, çdo të thotë kjo për futbollin shqiptar.
Halilaj: Personalisht prisja diçka tjetër sepse fundja dënimin e mori pasi ka tre vjet që nuk merr pjesë në Kupat e Evropës dhe mendova se mund të kishte një zbutje të dënimit ndoshta sepse për falje totale nuk besoja. Nuk i kemi fare mirë punët në sport dhe në futboll në veçanti sepse është fundosur klubi më i suksesshëm por nga ana tjetër kemi një Vllazni që është në hall të madh, kemi Tiranën që është me probleme të mëdha që nuk licensohet dot të shkojë në Evropë dhe i ka llogaritë e bllokuara. Flamurtari që është një klub në krizë totale dhe ka një vit që nuk i paguan futbollistët.
Le të japim një gjykim të sinqertë, jo thjesht si shqiptarë, e meritonte apo jo Skënderbeu?
Halilaj: Unë e theksoj se dënimi ishte shumë i rëndë por nuk është kështu “rrufe në qiell” të hapur dhe një dënim i papritur sepse gjërat kanë ndodhur dhe ne kemi qenë dëshmitarë dhe nuk kemi pasur nevojë fare as të niste hetimi në UEFA dhe ne kemi parë se çfarë ka ndodhur me Skënderbeun por jo vetëm , por edhe me klube të tjera shqiptare. Sa i përket menaxhimit dhe nëse mund të vazhdohet kështu me futbollin unë mendoj se nuk mund të vazhdohet kështu. Është faji i shteti sepse kemi një ligj për sportet për të cilin e ka ngritur zërin edhe federata, edhe zyrtarë të Federatës, por jo vetëm të futbollit por edhe të basketbollit edhe të volejbollit.
Çfarë mund të bëjë tani presidenti Takaj, dhe cili do të jetë fati i Skënderbeut?
Halilaj: Është i lirë Skënderbeu dhe drejtuesit e tij ta bëjnë një tentativë në Gjykatën Federale dhe për të qenë të sinqertë unë e shikoj të vështirë duke iu referuar edhe rasteve ndërkombëtare. Por për hir të një qyteti si Korça, për hir të një investimi kolosal që është bërë aty edhe në infrastrukturë do ishte mirë nëse këta drejtues do të vazhdojnë të qëndrojë sepse nëse do ta nisin diçka nga zero dhe me kosto do jetë kjo pjesë sepse do e nisin nga Kategoria e tretë dhe juridikisht do të shkrihet një klub me tetë trofe.
Tani që betejat ligjore në Europë thuajse përfunduan, çfarë i takon të bëjë Federatës Shqiptare të Futbollit?
Halilaj: FSHF mendoj se do ta dënojë Skënderbeun, duke pasur parasysh se pritet që Takaj të nisë punën me klub tjetër./ABC News Albania 24/7