Shtëpia e ankandeve Kristi do të nxjerrë në shitje rreth 200 relike të misioneve të NASA-s në vitet ’60 – ’70. Mes tyre është dhe manuali i bordit i Apollo 11 që u përdor për zbritjen e parë në Hënë.
Në prag të 50 vjetorit të shkeljes për herë të parë në Hënë, shtëpia e ankandeve Kristi do të vendosë në shitje në 18 korrik, dyqind relike në shenjë homazhi për misionet e NASA në vitet ’60 – ’70. Mes fotografive me autograph, harta, aparate fotografike, objekti më I shtrenjtë, që vlerësohet fillimisht deri në 9 milion dollar është manuali i bordit të Apollo 11. Ai u përdor nga Neil Armstrong e Buzz Aldrin për të çuar modulin “Eagle” në sipërfaqjen e Hënës në korrik 1969. Libri, sipas shtëpisë së ankandeve, ka ende gjurmë të pluhurit hënor dhe pothuajse 150 shënime me dorë të austronautëve, mes të cilave dhe koordinatat e “Eagle” në sipërfaqen e Hënës pak minuta para uljes.
Manuali i bordit ndodhej në mes të Armstrong e Aldrin gjatë momenteve të fundit. Aty tregohen 34 orët emocionuese të udhëtimit të “Eagle”, nga inspektimi, nisja, zbritja në Hënë dhe ngritja e mëtejshme në orbitën hënore për takimin me austronautin e misionit, Majkëll Kollins, në bordin e “Columbia”. Ky është shembulli i parë i një shkrimi me dorë në një trup jashtëtokësor. Misionet e ardhshme njerëzore do të jenë totalisht të dixhitalizuara; në këtë mënyrë është pothuajse e pamundur që në të ardhmen të krijohet një dokument i tillë i ngjashëm. /ABC News Albania 24/7