Destinacioni Champions League: 5 udhëtimet evropiane për tifozët e futbollit

schedule10:19 - 20 Janar, 2023

schedule 10:19 - 20 Janar, 2023

Përktheu Hergi Llupi

Tifozët e futbollit në mbarë botën kanë ende në mendje Botërorin e fundit në Katar dhe veçanërisht finalen mes Francës dhe Argjentinës, me skuadrën e Leo Messit që fitoi me penallti. Spektakli i futbollit të nivelit të lartë së shpejti do të jete sërish në krye.

UEFA Champions League, festa e madhe e futbollit rikthehet në shkurt. UCHL është pa dyshim një eksperiencë e veçantë futbolli, e cila bëhet një përvojë jetësore kur e përjeton nga afër.

Më poshtë, do të jenë të listuara disa prej qyteteve që do të presin ndeshjet në fazën e ardhshme të Champions League. Çdo tifoz futbolli mund t’i vendosë në axhendën e tij të udhëtimit për të qenë në tribunat e stadiumeve të tyre dhe për të përjetuar një përvojë interesante jo vetëm të futbollit, por edhe të stilit të jetesës për secilin vend.

Napoli

Qyteti i xhevahirëve të Italisë jugore është një destinacion ideal për dashamirët e gastronomisë, arkeologjisë dhe qyteteve të gjalla. Duke qenë se ky shkrim i dedikohet futbollit, vlen të theksohet se është një destinacion i domosdoshëm për tifozët e Diego Maradonës. Legjenda argjentinase i kaloi vitet më të mira të karrierës së tij në skuadrën e qytetit dhe të thuash se ai adhurohet si zot nuk është ekzagjërim. Kjo mund të shihet nga pikturat murale që e përshkruajnë atë në pjesë të ndryshme të qytetit. Në fakt, stadiumi në të cilin luan Napoli u riemërua pas vdekjes së tij në “Stadiumi Diego Armando Maradona”.

Ekziston edhe një muze kushtuar atij, si dhe ture të veçanta me guidë që ndjekin jetën dhe rrugëtimin e tij në qytet. Napoli përballet me Frankfurtin në 1/16 e Championsit dhe shijimi i atmosferës së krijuar nga tifozët e tyre nga afër do të jetë një eksperiencë unike. Edhe nëse vini këtu me një grup jo si tifozë, me siguri do të gjeni diçka interesante në një qytet ku ka gjithmonë një kaos të vogël trafiku, rrugët janë pothuajse gjithmonë plot me njerëz dhe baret, kafenetë elegante dhe tratoret e vogla bashkë me piceritë janë vërtetë të panumërta.

Milano

Në Milano do të zhvillohen dy ndeshjet për fazën e 16-tave, pasi të dyja skuadrat e qytetit, Milan dhe Inter vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Champions këtë vit. Të dyja skuadrat organizojnë ture turistike të qytetit të paërshtatura me preferencat e tifozëve të tyre. Një eksperiencë e veçantë është turneu me guidë në stadiumin legjendar “San Siro”, i cili është shtëpia e Milanit dhe Interit. Edhe ata që shkojnë thjesht si turist në kryeqytetin e Lombardiësë, do të gjejë shumë për të parë dhe bërë. Nga pazaret në “Via Monte Napoleone”, një nga rrugët tregtare më të pasura dhe më të shtrenjta në botë, tek vizitat në muze me famë ndërkombëtare si Galeri e Arteve Brera.

Përveç kësaj, në zonën më të madhe të Milanos, ka një pikë referimi botërore për tifozët e motorsportit. Qyteti i Monzës, shtëpia e pistës së famfshme të Formula 1, është vetëm 15 km larg.

Dortmund

Nga vendet kryesore të futbollit në Evropë, Gjermania ofron ndoshta paketën më të mirë për përvojën e futbollit live. Stadiumet e tij kanë infrastrukturë të shkëlqyer, biletat e ndeshjeve janë të lira në krahasim me vende si Anglia dhe Italia, stadiumet janë pothuajse gjithmonë plot adrenalinë dhe ju mund të shijoni birrën tuaj ndërsa shikoni ndeshjen.

Bie në sy stadiumi i Borussia Dortmundit. Me një kapacitet prej 81,359 spektatorësh, është stadiumi më i madh në Gjermani, ndërsa tribuna e saj jugore, me një kapacitet prej 24,000 spektatorësh, është tribuna më e madhe në Evropë, në fund të fundit, ajo shpesh paraqitet në homazhe për kulturën e tifozëve të futbollit.

Për tifozët e futbollit, arsyeja kryesore për të bërë udhëtimin në qytetin e North Rhine-Westphalian është vetë futbolli. Sidoqoftë, nëse doni të bëni më shumë turizëm “konvencional”, Këlni me atraksionet e tij të shumta dhe skenën e shkëlqyer të kuzhinës dhe jetës së natës është pak më shumë se një orë larg Dortmundit (të dy qytetet arrihen nga i njëjti aeroport).

Londra

Në UEFA Champions League të këtij viti , Londra tani përfaqësohet nga Chelsea. Të shikosh një ndeshje në stadiumin e tij, Stamford Bridge, dhe të bësh një turne në muzeun e tij me udhërrëfyesit që dinë gjëra argëtuese padyshim që ia vlen koha.

Por kjo nuk është e vetmja përvojë futbolli që mund të keni në kryeqytetin britanik. Çdo tifoz futbolli që respekton veten duhet të pijë një birrë ndërsa shikon një ndeshje në pijetoren Freemasons Arms në Covent Garden, ku në vitin 1863 pionierët e lojës u takuan dhe ranë dakord për rregullat e para të asaj që do të bëhej sporti më popullor në botë. Sot në zonë ka shumë objekte memorale që do të kënaqin tifozët e futbollit ose thjesht adhuruesit e historisë.

“Pamjet” e qytetit nuk mbarojnë këtu. Për shembull, të bëni një turne në Wembley dhe një vizitë në stadiumin e Tottenhamit, i cili ofron përvojën unike të Skywalk , domethënë, ju do të ngjiteni në çatinë e stadiumit duke shijuar një pamje unike të horizontit të Londrës.

Liverpool

Sipas shifrave të “VisitBritan”, në vitin 2019, viti i fundit para pandemisë, rreth 1.5 milionë njerëz vizituan Mbretërinë e Bashkuar dhe ndoqën të paktën një ndeshje futbolli në jetën e tyre. Mbi 200,000 prej tyre e bënë këtë në Anfield, terreni i Liverpool-it. Ky klub është një nga më të njohurit në mbarë botën. Turneu në muzeun dhe stadiumin e Liverpool-it përfshin gjithashtu një homazh të veçantë për sezonin e ëndrrave të skuadrës në 2018-2019, kur ata fituan titullin e Premier League dhe Ligën e Kampionëve. Vendlindja e skuadrës tjetër të qytetit, Everton, është më pak se 2 kilometra larg, kështu që mund ta vizitoni në të njëjtën ditë.

Liverpooli është vendlindja e Beatles , por edhe një qytet me një skenë të fortë klubesh, ndaj mos prisni aq shumë atraksione dhe muze, sa ngjarje të lidhura me muzikën.

Duhet theksuar se në maj 2023 , qyteti do të presë edhe garën e Eurovizionit. Pra, ndoshta është një mundësi për të kombinuar shikimin e një ndeshjeje me kompeticionin e madh muzikor./ h.ll/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!