Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka refuzuar emërimin e akademikut Skënder Gjinushi si kryetar i Akademisë së Shkencave.
Meta është shprehur sot me një dekret të posaçëm, ku ka shprehur qëndrimin e tij kundër këtij emërimi.
“Pasi shqyrtova kërkesën dhe praktikën e përcjellë nga Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave me shkresë nr.89/41 prot., datë 24.05.2019, nëpërmjet të cilës kërkohet dekretimi për emërimin e zotit Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, dekretova ‘Refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë”– thuhet në dekretin e Metës.
Në dekretin e Metës më tej thuhet:
“Referuar mënyrës sesi janë zhvilluar zgjedhjet për Kryetar të Akademisë së Shkencave në datën 24.05.2019, si dhe duke vlerësuar në tërësi rrethanat, provat dhe bazën ligjore që rregullon mënyrën e organizimit të Akademisë së Shkencave, Presidenti i Republikës, mbështetur në nenin 57 pika 7, “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ka arritur në konkluzionin se: Procesi i kandidimit dhe ai zgjedhor për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, paraqet shkelje të parashikimeve të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar./ABC News Albania 24/7


