Ish nënkryetarja e komisionit të ekonomisë Jorida Tabaku shkruan në rrjetet sociale se arsyet e paraqitura në raportin e fundit të DASH, se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkanin perëndimor, janë prekur vazhdimisht nga opozita, por qeveria ka këmbëngulur që të paraqesë një realitet tjetër, duke këmbëngulur në rrugën e gabuar ekonomike.
“Raporti është një kambanë alarmi drejtuar një qeverie dhe mazhorance që ka vendosur t’i shkojë deri në fund rrugës së verbër të koncesioneve klienteliste, tenderave për oligarkët dhe thatësirës së investimeve të huaja”, shkruan Tabaku.
Sado ligje gjoja pro-investitorë të votojë kjo mazhorancë, fryma anti-biznes e kësaj qeverie do të jetë përherë pengesë dhe barrierë për investitorët e huaj në Shqipëri, vijon ish deputetja demokrate, sipas të cilës, prej shtatorit 2013 në Shqipëri nuk ka ardhur asnjë investim i huaj direkt, dhe kryeministri Rama është krenuar me atë çfarë trashëgoi nga qeverisja demokratike.
Tabaku kujton premtimin e PD jo vetëm për ulje të taksave, por edhe krijimin e gjithë kushteve politiko-ekonomike në favor të investimeve të huaja, për ta rikthyer Shqipërinë në një konkurente të denjë në rajon./ABC News Albania 24/7