“Rrezikun dhe belanë e kanë me vete”, eksperti i ekonomisë flet për bastet online: Monitorim i rreptë për kompanitë

schedule11:31 - 18 Janar, 2023

schedule 11:31 - 18 Janar, 2023

TIRANË- Ndërsa qeveria përgatitet të ligjërojë brenda muajit mars bastet sportive online, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli thotë për ABC, se ekzekutivi duhet të jetë shumë i kujdesshëm ndaj këtij fenomeni, ndërsa thekson se edhe sanksionet për kompanitë që do të licensohen të jenë shumë të rrepta.

Megjithatë Çoçoli thotë se ashtu si edhe më parë, nuk përjashtohet mundësia që rikthimi i basteve, qoftë edhe on line, të sjellë probleme e sherre në familje.

“Legalizimi duhet patur shumë kujdes, duhen bërë mirë llogaritë. Shqetësimi im është se pavarësisht kushteve për kompanitë ligjet tona janë të vështira na zbatim. Nuk e di c’masë do marrë task forcë në kontrollin e tyre. Është një biznes shumë fitimprurës, pa shumë shpenzime duke qenë se zhvillohet on line. Të ardhurat që sigurojnë kompanitë nga ky shërbim ky fitim është i konsiderueshëm dhe tatimi me 25% nuk është dicka e jashtëzakonshme.

Kompanitë që janë bërë gati për të aplikuar për leje, mendoj se 25 % është shumë korrekte. Nuk do e quaja një ligj të kapur, si ai i 5 viteve më parë, por duhet bërë kujdes që të mos përsëritet evazioni fiskal I 5 viteve më parë. Duhet patur kujdes që mos depërtojnë kompani të ruajtura nga parajsa fiskale, e dimë se në gjithë botën janë burim i pashtershëm i pastrimit të parave.
Kompanitë të jenë në vëzhgim të vazhdueshëm, dhe të mos kenë kompani ‘bija’ që mund të mos kenë lejen e duhur apo eksperiencën e duhur.

Parashikoj që do kemi një shpërthim të mirëfilltë të këtij aktiviteti dhe është mirë që qeveria, ashtu si me reklamën ‘duhani vret’, të thotë se ‘pasioni i tepërt për këto lojëra, të shkatërron familjen’.
Të kaluarën me këtë sektor e kemi shumë të hidhur. Reziqet janë aty. Është një sektor që rrezikun dhe belanë e ka me vete, ndaj qeveria duhet të bëjë shumë kujdes, sanksionet për kompanitë që shkelin ligjin duhet të jenë shumë të forta.” u shpreh Çoçoli në ABC.

ABC publikoi një ditë më parë të zbardhur draftin i cili parashikon se si do të funksionojnë bastet sportive online. Sipas parashikimeve në draft organizatorët e kategorisë “Baste sportive online” do të tatohen në masën 25 % të të ardhurave bruto nga loja. Ndërkohë që janë vendosur kritere të forta në lidhje me kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë të cilat duan të përfitojnë të drejtën e organizimit të basteve sportive online./abcnews.al