Skuadra e Interit vijon përgatitjet në Lugano në prag të sezonit të ardhshëm. Trajneri Antonio Konte pret nga drejtuesit e klubit, finalizimin e tre objektivave të mbetura në merkato.
Skuadra e Interit vazhdon përgatitjet parasezonale në Lugano nën drejtimin e trajnerit Antonio Konte. Skuadra nuk konsiderohet ende e kompletuar pasi mungojnë tre zyrtarizime Barela Lukaku dhe Dzeko të cilët kërkohen me ngulm nga kreu i bankinës së zi kaltërve.
Mediat italiane raportojnë se skuadra e Interit ka gjetur akordin me Kaljarin për transferimin e 22 vjeçarit në San Siro dhe prezantimi pritet të bëhet shumë shpejt.
Nuk bëhet e ditur kostoja e transferimit të mesfushorit të kombëtares italiane tek Inter apo paga që pritet të përfitojë. Synimi i Kontes është që futbollisti të nënshkruajë para nisjes së skuadrës në turin aziatik.
Në lidhje me Romelu Lukakun Manchester United vijon të mbetet pengesa kryesore. Djajtë e kuq pretendojnë të përfitojnë 85 mln euro, një shifër tepër e lartë për arkat e klubit zi kaltër të cilët janë të gatshëm të paguajnë deri në 70 mln euro. Problemi tjetër është paga e futbollistit por mund të gjendet një marrëveshje mes palëve.
Më e komplikuar është pista Edin Xheko. Futbollisti boshnjak ia ka bërë të qartë skuadrës së Romës se dëshiron të largohet por verdh e kuqtë nuk pranojnë ofertën e Interit.
Marrëveshja mes palëve është ende larg ndërkohë që Inter nuk mund të nënshkruajë me shtatlartin para se të largojë nga skuadra Mauro Ikardin pasi argjentinasi duhet të sjellë të ardhura në klub për të financuar merkaton./ABC News Albania 24/7