Kina zhvillon sërish stërvitje ushtarake pranë Tajvanit

schedule09:49 - 9 Janar, 2023

schedule 09:49 - 9 Janar, 2023

Dhjetëra avionë sulmi të ushtrisë kineze dhe anije ushtarake kryen manovra përreth tajvanit të dielën deri të hënën në mëngjes duke kërcënuar shtetin ishullor të shkëputur nga Pekini në vitin 1949, sipas mediave të huaja.

Tajvani i ka cilësuar manovat si dëm të rëndë për paqen në rajon. Veprimi i Kinës vjen në një kohë kur një delegacion gjerman i mbrojtjes po viziton shtetin ishullor.

Ushtria kineze kreu stërvitje të përbashkëta në shkallë të gjërë duke dërguar avionë luftarakë dhe anije të marinës drejt Tajvanit. Manovrat ushtarake të së dielës kanë vazhduar deri të hënën, tha ministria e mbrojtjes e Tajvanit, duke monitoruar avionët luftarakë dhe anijet e marinës kineze në sistemet e saj raketore.

Gjatë të dielës dhe të hënës në orët e mëngjesit, Ushtria e Kinës fluturoi me 57 avionë luftarakë dhe lundroi me katër anije drejt Tajvanit. 28 nga ata avionë kaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit, një kufi jozyrtar që të dyja palët e kishin respektuar më parë.

Më 8 janar Kina tha se “objektivi kryesor i stërvitjeve ishte praktikimi i sulmeve tokësore dhe sulmeve nga deti”. Autoritetet e ishullit deklaruan se veprimet e Kinës “kanë prishur rëndë paqen dhe stabilitetin në ngushticat e Tajvanit dhe ujërat përreth”.

Stërvitja përkon me vizitën e një grupi ligjvënësish gjermanë që zbarkuan në Tajvan të hënën në mëngjes. Drejtuese e delegacionit është Marie-Agnes Strack-Zimmermann, e cila drejton Komisionin e Mbrojtjes të Parlamentit Gjerman. Ligjvënësit gjermanë do të takohen me presidentin e Tajvanit, Tsai Ing-ëen, si dhe me kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Tajvanit dhe zyrtarë të tjerë.

Kina ka rritur presionin e saj mbi ushtrinë e Tajvanit në vitet e fundit duke dërguar aeroplanë luftarakë ose anije të marinës pothuajse çdo ditë drejt ishullit të vetëqeverisur. Kina pretendon sovranitetin mbi ishullin, i cili u nda nga pushteti I Pekinit në vitin 1949 pas një lufte civile.

Manovrat e fundit ushtarake të Kinës, në zonën pranë Tajvanit janë kthyer tashmë në një fenomen të përsëritur pasi në fund të dhjetorit, Pekini dërgoi një rekord prej 71 avionësh dhe 7 anijesh drejt Tajvanit, ushtrimi më i madh në shkallë të tillë në vitin 2022.

Tajvani do të zhvillojë stërvitjet e tij vjetore ushtarake dyditore duke filluar nga 11 janari. Stërvitja përpara festave të Vitit të Ri Hënor synon të tregojë aftësitë mbrojtëse të Tajvanit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!