Rama thirrje Metës: Mblidh veten e shpërndarë brenda kornizave

schedule18:10 - 8 Korrik, 2019

schedule 18:10 - 8 Korrik, 2019

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Presidentit Ilir Meta të reflektojë dhe të mbledhë veten e shpërndarë dhe të ndërpresë çdo sulm ndaj përfaqësive diplomatike të SHBA dhe BE. Kryeministri tha se Ilir Meta duhej shkarkuar më parë, por ligjërisht ai mund të shkarkohet vetëm pasi Komisioni Hetimor të bëj detyrën kushtetuese. Ai tha se deputetët e rinj duhet ta votojnë Komisionin që të mos e zhysin veten në batakun ku Presidenti do ta zhysë Kuvendin.

“Ilir Meta duhej shkarkuar qysh në ditën që u hodh si raketë antiamerikane nga tava e koranit të Faros në Pogradec, drejt avionëve imagjinarë të juntës ushtarake amerikano-shqiptare mbi pallatin presidencial në Tiranë. Por me ligj ai mund të shkarkohet, vetëm pasi Komisioni Hetimor parlamentar që votojmë sot, të kryejë detyrimin kushtetues, të hetimit të fakteve, dëgjimit të dëshmive përkatëse dhe raportimin përpara Kuvendit të përfundimit të hetimit mbi shkeljen e rëndë të Kushtetutës. Ndryshe nga Ilir Meta që zgjodhi shembullin e rrugës destruktive për interesa personale dhe vetjake ne kemi zgjedhur forcën e shembullit ligjor dhe demokratik në mbrojtje të interesit kombëtar dhe të dinjitetit të shtetit shqiptar. Në mbyllje të kësaj fjale duke u bërë apel, të gjithë deputetëve ta votojnë ngritjen e Komisionit të posaçëm Hetimor, pikërisht në emër të interesit kombëtar dhe dinjitetit të këtij Kuvendi, i bëj dhe një thirrje publike Ilir Metës:

Të reflektojë dhe të mbledhë veten e shpërndarë e ta mbledhë brenda kornizës së përgjegjësive dhe kompetencave të tij. Të ndërpresë çdo sulm kundër përfaqësive diplomatike të SHBA dhe të Bashkimit Europian në Shqipëri, të ndërpresë çdo sulm ndaj Parlamentit, të cilin s’ka dyfek presidencial që e cenon në legjitimitetin e vet ashtu siç nuk ka dekret molotov që ja shkurton mandatin e tij. Të ndërpresë aktivitetin e tij të paligjshëm politik kundër qeverisë së Republikës së Shqipërisë, me të cilën duhet të sillet siç ja kërkon Kushtetuta, jo siç e urdhërojnë zërat e brendshëm të realitetit imagjinar ku është transferuar së fundmi. Mirë do ishte të ndalonte dhe përgojimin e figurave heroike së historisë së këtij vendi sepse paralelizmat mes tyre dhe figurës së tij keqinformojnë brezin e ri dhe stimulojnë agresivitetin e injorancës ndaj shoqërisë dhe shtetit ligjor, por kjo mbetet një vërejtje miqësore. Duke ju uruar punë të mbarë dhe të frytshme Komisionit Hetimor parlamentar si dhe duke uruar që në emër të kësaj Republike Parlamentare, çdo deputet ta votojë ngritjen e tij për të mos zhytur veten e tij në batakun ku Ilir Meta kërkon ta zhysë në imagjinatën e tij këtë Parlament unë ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen”, mbylli Kryeministri Rama fjalën e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!