Itali, arrestohen 9 shqiptarë nga Elbasani për trafik droge

schedule13:12 - 12 Dhjetor, 2017

schedule 13:12 - 12 Dhjetor, 2017

Një operacion masiv antidrogë është zhvilluar nga policia italiane gjatë mëngjesit të sotëm. Operacioni i koduar “Chicken’s House” ka zbuluar një skenë të trafikut ndërkombëtar të heroinës mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Italisë Veriore.

Gjykata italiane ka lëshuar udhër-arreste për 9 shqiptarë nga Elbasani, me akuzat e trafikut të drogës dhe organizatës kriminale. Ndërsa për dy shqiptarë të tjerë dhe një italian është vendosur arrest shtëpie. Grupi kriminal trafikonte sasi të mëdha të heroinë nga vendi ynë, drejt Maqedonisë e me destinacion përfundimtar Italinë. Rol kryesor kishin shqiptarët nga Elbasani, thotë policia italiane. Hetimet janë zhvilluar nga bashkëpunimi mes autoriteteve italiane, shqiptare dhe maqedonase.

Kjo organizatë kishte ngritur një rrjet të shpërndarjes së heroinës në Toskanë, Lombardi, Liguria, Puglia, Emilia Romagna dhe Trentino Alto Adige. Lënda narkotike magazinohej në një shtëpi në një fshat venecian, që shërbente si bazë për përzierjen e heroinës dhe paketimin. Ky vend ruhej gjatë gjithë kohës nga persona të armatosur. Deri tani nuk janë bërë me dije emrat e shqiptarëve të arrestuar, ndërsa është sekuestruar një sasi e konsiderueshme heroine./abcnews.al