Luftë spiunësh: Kush qëndron në fakt pas “Qatargate”?

schedule20:38 - 28 Dhjetor, 2022

schedule 20:38 - 28 Dhjetor, 2022

Nga Federico Giuliani, Il Giornale

A është skandali korruptiv “Qatargate” kulmi i një hetimi për shkeljen e ligjit, dhe që ka të bëjë vetëm me disa vende dhe disa personazhe të mirë-integruar në ingranazhet politike të Brukselit, apo është në të vërtetë maja e një ajsbergu të madh dhe misterioz që nuk është zbuluar ende?

Aktualisht tek shumëkush ekziston ndjesia se “tërmeti” që e ka tronditur Evropën, ose më mirë themelet e Bashkimit Evropian, mund të përfshihet në një dosje shumë më voluminoze sesa mund të imagjinohet. Dhe jo vetëm për misteret e shumta, që mbeten ende të pazgjidhura, dhe që e bëjnë pyetjen e shtruar në fillim të denjë për një film me spiunazh të një epoke tjetër. Por edhe sepse në mesin e të dyshuarve të fundit ka nga ata që kanë filluar të flasin për rolin e Moskës në prapaskenë.

Misteret e “Qatargate”

Duke lënë mënjanë lajmin – paratë e gjetura në shtëpitë e europarlamentarëve Eva Kaili dhe Antonio Panzeri – ose më mirë duke u nisur nga lajmi, është interesante të pyesim veten mbi rolin që kanë luajtur palët, për vetë paratë, mbi atë që e nisi hetimin, dhe për të gjitha çështjet e përfshira.

Pasi të jenë hedhur themelet, dhe të jenë rikthyer në qendër të vëmendjes rolet dhe protagonistët, atëherë mund të fillohet të plotësohet enigma, pjesë-pjesë, derisa të plotësohet kuadri i përgjithshëm. Kjo sipërmarrje ka rezultuar tashmë e vështirë. Para së gjithash sepse, siç shkroi Paolo Cirino Pomicino në “Il Giornale”, historia në Bruksel duket me shumë si një “pasurim i paligjshëm i disa individëve që nuk kishin asnjë lidhje me partitë”.

Nuk kanë gjasa të bëhen krahasimet me ngjarje të tjera të së shkuarës. Tek e fundit, duke kaluar tek misteret e pazgjidhura, dikush mund të pyesë veten se pse duhet të dërgohen gjithë ato para në selinë e Parlamentit Evropian për të mbështetur evolucionin reformues të Katarit.

Pa dyshim që kjo dosje do të ketë efekte të mundshme fatale dhe afatgjata politike dhe demokratike. Nga tani e tutje, çdo mocion apo deklaratë e pakicës në PE do të shihet me dyshim, duke e shfuqizuar kësisoj parimin që duhet të rregullojë demokracinë evropiane.

Dyshimi që bie mbi Moskën

Prandaj duhet të mendojmë për aktorët e përfshirë, duke u ndalur në një aspekt, i cili nuk duhet anashkaluar: hetimi nisi nga shërbimet sekrete dhe jo nga gjyqësori. Po atëherë, kush i lajmëroi shërbimet sekrete belge? Përgjigja për këtë pyetje është tani për tani e ndërlikuar.

Qoftë edhe sepse e gjithë çështja është ende e mbuluar me mjegull. Por megjithatë duhet pasur kujdes, të mos anashkalohet kuadri gjeopolitik evropian. Nuk është rastësi që Pomicino pyet veten për rolin e supozuar – ende jo i konfirmuar zyrtarisht – që ka luajtur Rusia e Vladimir Putin brenda “Qatargate”.

Duke marrë parasysh se marrëdhëniet midis Emirit Al Thani dhe shefit të Kremlinit janë më se të shkëlqyera, Pomicino ka parashtruar një skenar të besueshëm, ose që të paktën nuk duhet hedhur poshtë a priori: Moska mund (kushtëzimi është i detyrueshëm) të jetë vënë në dijeni mbi aferën korruptive të Dohes, dhe e ka përhapur atë qëllimisht për të dobësuar Bashkimin Evropian.

Por për çfarë qëllimi? E thjeshtë: për ndëshkimin e Brukselit për shkak të afërsinë tij me Ukrainën, por edhe të dëmtojë shërbimet sekrete perëndimore, besueshmërinë dhe imazhin e tyre. Ndër opsionet e tjera, përveç Rusisë, ka nga ata që kanë folur për Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe hipotetizojnë se raporti për shërbimet sekrete belge mund të ketë ardhur nga Abu Dhabi, që megjithatë mohon çdo lloj përfshirje në këtë çështje.

Dyshimi lind nga marrëdhëniet e trazuara mes Katarit dhe Emirateve, ku ky i fundit prishi lidhjet diplomatike me Dohan në vitin 2017, duke e akuzuar atë për mbështetjen e terrorizmit. Më pas kriza u qetësua, por armiqësia ka pasur mbetjet e veta. E sigurt është se gjeopolitika luan një rol të rëndësishëm në skandalin “Qatargate”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!