Robben i jep fund karrierës

schedule11:20 - 5 Korrik, 2019

schedule 11:20 - 5 Korrik, 2019

Arjen Robben ka vendosur të varë këpucët në gozhdë. Ish-futbollisti që është aktivizuar me disa prej skuadrave më të mëdha në botë ka zbuluar se nga sezoni i ardhshëm nuk do të zbresë më në tapetin e gjelbërt.

Një tjetër yll i futbollit botëror ka vendosur t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur. Nga sezoni i ardhshëm, Arjen Robben nuk do të zbresë më në tapetin e gjelbërt. Lajmi është konfirmuar nga vetë holandezi, i cili zbulon se ky është vendimi më i vështirë në jetën e tij.

“Kam vendosur që ta mbyll karrierën time si profesionist. Është vendimi më i vështirë në jetën time. Ishte vendim i vështirë pasi zemra më thoshte që të luaja, por mendja jo. Jam shumë mirë me shëndet dhe e ndiej veten në formë, por ishte momenti të tërhiqesha. Jam tifoz i futbollit dhe dua të vazhdoj të jetoj me këtë stil jetese edhe në të ardhmen”, tha Arjen Robben.

Robben e nisi karrierën në vendlindje në kampionatin holandez tek skuadra e Groningen ku hodhi hapat e para si futbollist për të kaluar më pas tek PSV. Në verën e vitit 2007 Arjen Robben u zyrtarizua si futbollist i Chelsea-t në Premier League-n angleze ku qëndroi për tre sezone dhe realizoi 15 gola.

Robben ishte një titullar i padiskutueshëm me blutë e Londrës dhe paraqitjet fantastike me londinezët ndikuan ne kalimin e tij tek skuadra e Real Madrid. Aventura e 35-vjeçarit me galaktikët zgjeti vetëm dy sezone. Arjen Robben ishte titullar tek madrilenët, por zbarkimi i Cristiano Ronaldos në Madrid në verën e vitit 2009 shërbeu si motiv për t’u larguar nga “Santiago Bernabeu” pasi i cenohej vendi i titullarit.

Mes ofertave të shumta, Robben zgjedh të vazhdojë karrierën në Bundesligën gjermane pikërisht tek skuadra e Bayern Munchen ku shkruajti historinë për një dekadë. Holandezi u aktivizua për 10 sezone me bavarezët duke fituar të gjithë titujt e mundshëm në rang klubesh. Së bashku me Ribery formuan një dyshe kërcënuese për çdo kundërshtar. Sezonet e fundit Robben është penalizuar edhe nga dëmtimet e njëpasnjëshme duke ndikuar jo pak në performancë e lojtarit.

Arjen Robben la gjurmë edhe me kombëtaren e Holandës. Arritja më e madhe ishte finalja e Botërorit të vitti 2010 ndaj Spanjës e humbur me shifrat 1-0. Robben pati mundësinë e artë për të shënuar golin ndoshta të fitores, por gaboi përballë Iker Kasijas. Holandezi mund të marrë një rol drejtuesi tek Bayern në të ardhmen ndërkohë që aktualisht do të shijojë pushimet dhe do të hapë një faqe të re në jetën e tij./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!