Pesë të vrarë nga të shtënat me armë në Toronto, ekzekutohet autori

schedule16:47 - 19 Dhjetor, 2022

schedule 16:47 - 19 Dhjetor, 2022

Pesë persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur të dielën mbrëma, gjatë të shtënave në qytetin Toronto të Kanadasë, konfirmoi policia.

I dyshuari është vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, tha shefi i policisë Jim MacSween. Ai tha për mediat se të shtënat ndodhën në një ndërtesë banimi.

Personi i plagosur është dërguar në spital dhe është “në gjendje serioze”, tha policia.

Policia tha se ishte thirrur për t’iu përgjigjur incidentit në orën 19:20, sipas kohës lokale.

“Kur oficerët arritën, ata u përballën me një skenë të tmerrshme, ku një numër personash kishin vdekur”, tha MacSween për gazetarët.

“Policët hynë në ndërtesë dhe u përballën me situatën. Mund të konfirmojë se një polic ka përdorur armën e zjarrit dhe si rezultat është vrarë edhe sulmuesi”, shtoi ai.

Policia në Kanada tani po heton motivin e kësaj ngjarjeje, nëse ka ndonjë lidhje mes viktimave dhe të dyshuarit. I dyshuari, që nuk është identifikuar, sipas policisë ishte 73-vjeçar.

Ndërtesa e banimit ku ndodhi sulmi, gjendej afër 30 kilometra në veri të Torontos. Sipas autoriteteve, viktimat u gjetën në banesa të ndryshme të ndërtesës.

Kanadaja ka regjistruar një rritje të dhunës me armë zjarri. Në prill të vitit 2020, një person i veshur me rroba të policisë vrau 22 persona në Nova Skoshia. Ky ishte incidenti më i rëndë me armë zjarri në këtë shtet.

Po ashtu, në shtator të këtij viti, një person vrau 11 vetë dhe theri me thikë 18 të tjerë në komunitetin indigjen të Saskatçuanit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!