Igli Tare: Refuzova ftesën e Milanit për dashurinë që kam për Lacion

schedule22:30 - 2 Korrik, 2019

schedule 22:30 - 2 Korrik, 2019

Drejtori sportiv i skuadrës së Lacios, Igli Tare zbulon se refuzoi ofertën e Milanit për dashurinë që ka për klubin bardhekaltër. Numri dy i klubit Italian zbardh planet e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Igli Tare është padyshim një nga drejtorët sportivë me të vlerësuar në Itali dhe kjo ka nuk i ka shpëtuar drejtuesve të Milanit, të cilët janë vendosur prej kohësh nën gjurmët e tij. Në lidhje me këtë çështje është prononcuar vetë drejtori sportivi i Lacios, i cili zbulon disa detaje nga refuzimi i ofertës së skuadrës së Milanit.

“Nuk mendoj se refuzimi i ofertës së skuadrës së Milanit do të ndikojë në karrieren time. Jam tek kjo skuadër që prej 15 vitesh dhe kjo ishte një zgjdhje zemre. Dy drejtuesit e rinj të Milanit, Maldini dhe Boban që më parë kanë shkruar historinë me atë klub më kanë kërkuar të vazhdoj karrierën tek kuqezinjtë. Jam I nderuar që kam biseduar me të dy, pasi treguan interes për mua dhe aty kam kuptuar që Milani për ata është më shumë se një skuadër. E refuzova ofertën pa asnjë hezitim dhe ata e pranuan me shumë respekt vendimin tim”.

Drejtori Sportiv i Lacios foli edhe për objektivat sezonale të skuadrës italiane si dhe për ecurinë e trajnerit Inzagi.

“Do të vazhdojmë të ndërtojmë një ekip konkurues në Itali edhe pse nuk është aspak e lehtë të mbash të njëjten ritëm. Jam i bindur se i kemi mundësitë të kërkojmë kreun e kampionatit. Kemi një buxhet të shëndetshëm dhe objektivi për sezonin e ardhshëm është kualifikimi në Ligën e Kampioneve. Simone Inzagi është pjesë e historisë së skuadrës së Lacios. Kam luajtur pranë tij dhe më pas e zgjodha si trajner. Besimi im dhe i Presidentit Lotitio rezultoi efikas pasi ka bërë një punë madhështore deri më tani. Milinkoviç Saviç ka rinovuar kontratën vetëm pak muaj më parë, por nëse vjen ndonjë ofertë e parezistueshme do të merret në konsideratë”.

Por si e sheh Igli Tare rivalitetin për sezonin e ardhshëm në kampionatin Italian.

“Napoli dhe Inter po ndërtojnë një skuadër që të minimizojnë diferencën me Juventusin, por do të jetë shumë e vështirë. Roma i ka besuar skuadrën një trajneri interesant që mund të bëjë mirë. Milani mund të bëjë disa lëvizje të rëndësishme në merkato dhe sezonin e ri mund të ketë sukses. Shoh 5 apo 6 skuadra që mund të bëjnë më të fortë kampionatin Italian edicionin e ardhshëm”– përfundon fjalën e tij drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare. /ABC news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!