Partia Demokratike akuzon mazhorancën për blerje dhe manipulim votash më 30 qershor. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në selinë blu Ivi Kaso u shpreh se pjesëmarrja në votime është 105 mijë persona dhe jo 170 mijë sa thotë KQZ-ja.
Votat janë vjedhur edhe në Tiranë. Është ky denoncimi i radhës së Partisë Demokratike.
“Mashtrimi nuk është me 10 mijë votues, se kaq janë vetëm votat e pavlefshme. Manipulimi është me rreth 66 mijë votues ose thënë ndryshe gati sa 1/3 e atyre që ka shpallur Komisioni Qendror i Vjedhjeve”.
Demokratët kanë bërë përllogaritjet e tyre.
“Numri real i qytetarëve të Tiranës që votuan në 30 qershor është 105 mijë dhe jo 171 mijë”.
Akuzojnë se KQZ po mbulon manipulimin me mungesën e transparencës për të dhënat online në kohë reale.
“Ndryshe nga sa u kërkua prej partnerëve ndërkombëtarë dhe misioni vëzhgues i ODIHR-it, për herë të parë, Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk shfaq online të dhënat për çdo qendër votimi”.
“Në video tregohet qartë se në vitit 2017, të dhënat ishin qendër për qendër, në kohë reale, sapo mbaronte numërimi, ndërsa sot, është vetëm një foto, me një rezultat të përgjithshëm, të padetajuar, me qëllim mbulimin e manipulimit të pjesëmarrjes së votuesve në Tiranë dhe në Shqipëri”.
Partia Demokratike është duke përgatitur dosjet për secilin që ka shkelur ligjin paralajmëron Sekretari për Çështjet Zgjedhore. /ABC News Albania 24/7