Serbia ka vazhduar me avazin e vjetër të kërcënimeve e shantazheve ndaj Kosovës dhe sigurisë në rajon.
Deri tash kërcënimet kanë qenë kryesisht me deklarata politike e duke lobuar kundër ç’njohjeve të Kosovës, por që nga dje shteti i Serbisë ka kërcënuar edhe ushtarakisht.
Petar Petkoviq, shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, mes tjerash dje ka deklaruar se shteti i tij do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë.
Ai madje ka deklaruar se veprimi do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, duke përmendur nenin 4 dhe nenin 6 të aneksit 2.
Ky përfaqësues i qeverisë së Serbisë i ka bërë komentet në kohën kur në pjesën veriore të vendit janë shtuar sulmet e grupeve kriminale ndaj institucioneve të Kosovës, si KQZ, Policia e Kosovës etj.
Lexo edhe: Sulm i armatosur në Zveçan, plagoset një polic në veriun e Kosovës
Ai ka thënë se veriu po “pushtohet” nga policia e Kosovës dhe se Serbia po e shqyrton mundësinë, siç ka thënë ai, kthimit të 1.000 pjesëtarëve të saj të sigurisë në Kosovë.
Ai ka deklaruar se dje rreth 300-350 forca policore janë futur në veri.
“Sipas njohurive tona, 300-350 policë të Kosovës me armë të gjatë dhe automjete të blinduara “pushtuan” veriun e Kosovës dhe bllokuan Mitrovicën e Kosovës. Arsyeja e inkursionit të policisë në veri të Kosovës është gjoja se shqiptarët që jetojnë aty kanë frikë nga çdo gjë që po ndodh. Po ashtu ju kujtoj se dy ditë më parë ka pasur një përballje mes Kurtit dhe qytetarëve të veriut për të detyruar mbajtjen e zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.
Ndërsa në orët e vonshme të së premtes një patrullë e Policisë së Kosovës është sulmuar me armë zjarri në Zveçan.
Si pasojë e incidentit, një polic është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.
Sipas PK-së, njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.
“Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore”, kanë thënë policia, raporton Telegrafi.