Grushti mbi Berishën, Konferenca e shtypit që vodhi orën e Samitit

schedule17:07 - 8 Dhjetor, 2022

schedule 17:07 - 8 Dhjetor, 2022

Nga Lorenc Vangjeli

Kur dikush luan muzikë në fillim të bulevardit dhe një tjetër thyhen instrumentet në skajin tjetër, natyrisht që vëmendjen e tërheq personazhi i dytë. Biblioteka mund të jetë një cak mençurie e dobie, por më shumë bujë bën djegia e librave. Ky është shkaku njerëzor që shpjegon vëmendjen e shproporcionuar që morën dy ngjarjet e të martës së parë të dhjetorit në Tiranë; nga një anë Samiti dhe nga ana tjetër akti kriminal mbi liderin e opozitës. Një déjà vu e frikshme me 15 vjet më parë, kur Xhorxh Bushi u përmend më shumë për “humbjen” e orës në Fushë-Krujë sesa për mesazhet thelbësore që kurdisën ndryshe orën e gjithë kombit shqiptar.

Në Shqipëri ka pasur shumë shpesh dhunë mbi njerëzit e politikës. Mbi ta janë zbrazur madje edhe plumba si në rastin e Azem Hajdarit dhe kanë derdhur gjak mbi një listë dëshpëruese personazhesh politikë, përfshi këtu edhe Edi Ramën, të cilit ja kurseu jetën vetëm fati.

Shoqëria shqiptare është ndarë pothuaj matematikisht në këto raste, në ata që dënonin aktet e dhunës dhe merrnin anën e viktimave dhe në ata që heshtnin në rastin më të mirë, ose premtonin edhe më shumë dhunë në rastin më të keq. Në të gjitha këto episode të frikshme, në të gjithë këtë sagë rrokopuje 30 vjecare, Sali Berisha ka qenë emri që është përmendur gjithmonë në sfond protagonist, deri në momentin që ai vetë, u bë subjekt i një grushti kriminal.

Sali Berisha është një politikan që në tre dekada ka dhënë dhe ka marrë shumë grushte. Ka rrëzuar dhe e kanë rrëzuar. Ka parë të ngrihen viktimat në sytë e tij dhe është ringritur sërish vetë edhe atëherë kur të gjithë vinin bast kundër tij. Ka ngritur kultin e forcës në pushtet dhe është përzënë me force nga pushteti. Ka treguar me gisht kundërshtarin si armik që duhet mundur dhe është trajtuar si armik i mundur.

Në ato pak çaste dramatike të mesditës së të martës, ndryshe nga më parë, ai pati një sjellje me dy kahe përjashtuese. Në fillim ai u vetëdemonstrua si një shtetar evropian, njëlloj si ata që ishin në Samit, disa qindra metra më tej në jug të Bulevardit, kur i vuri fre reagimit të demonstruesve dhe menjëherë më pas, u rivesh sërish me kostumin e tij të zakonshëm të politikanin instiktiv, ballkanasit inatçor që kërkon shpagim nga armiku. Ndalja e turmës dhe mbajtja e saj brenda kordonit të sigurisë, kur mjaftonte një shkëndijë që mund të ndizte një zjarr që nuk dihej se deri ku mund të shkonte, ishte një akt që i bën nder, kurse gishti i tij që shënjoi me emër autorin, domethënë Edi Ramën, ishte dëshmia e radhës që shpirti e ka jetën më të shkurtër në krahasim me vesin e vjetër.

Sali Berisha është sot pothuaj në pozitën e Edi Ramës në majin e 2011-ës. Madje edhe më keq se ai. Shumë më keq. Atëherë, mbasi i kishte pushkatuar katër vetë në trotuar dhe e kërcënonte dhe atë vetë me vdekje, mbasi i grabiti fitoren e ngushtë të bashkisë për t’ia dhënë si prikë dhëndrit të tij politik, Berisha e vuri Ramën në pozitën e atij që nuk kishte çfarë humbte më. Dhe fiks në momentin kur Berisha dukej se nuk kishte çfarë të fitonte tjetër më shumë, erdhi edhe rrëzimi e rrënimi i tij. Sot, në role të ndryshuara, shto këtu edhe izolimin e tij të frikshëm ndërkombëtar, Berisha është duke i luajtur vetes lojën e akrepit të rrethuar me zjarr. Çdo përpjekje për të dalë jashtë atij rrethi, vetëm e djeg edhe më shumë. Megjithatë ka një diferencë domethënëse. Në janar 2011, Doktor Berisha premtonte të bëhej snajper që do të vriste, në dhjetor 2022 Rama foli si Doktor që kërkon të shërojë plagë kur dënoi dhunën.

Tentativa e Berishës për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtarë për problematike lokale në Tiranë, ëndrra e tij egoiste për të pasur një konferencë gjigante shtypi me mbi një mijë gazetarë nga gjithë Evropa, dëshira e papërballueshme për t’u ridëshmuar ashtu siç është, një faktor që duhet të llogaritet në Shqipëri, u realizua vetëm përgjysmë. Ai u bë sërish protagonist të martën e parë të dhjetorit me çmimin e gjakut në portretin e tij. Kësaj here ishte ai që “vodhi” orën e Samitit në Tiranë. Një orë e çmuar vëmendjeje që nuk dihet se kur dhe si mund të rikthehet më në Shqipëri. Si një dëshmi që në këtë skaj të Ballkanit, sahati ka mbetur ende tek dhuna si fe’ zyrtare dhe që e tregoi edhe njëherë shoqërinë shqiptare si një shoqëri në krizë dhe depresion të thellë, si një shoqëri me ekuilibra tmerrësisht të brishta, ku një milion “shuplaka” votash vlejnë shumë më pak se një grusht në protestë dhe ku të gjithë ëndërrojnë të luajnë dy role, herë viktimën e pangushëlluar, herë agresorin e pandëshkuar.

Njëlloj si ai fatkeqi famëkeq që përdori grushtin si armë të martën, i cili është njëkohësisht edhe agresor që duhet ndëshkuar, edhe viktimë që duhet ngushëlluar!