Koalicioni në kohë krizash, viti i parë i qeverisjes së “semaforit” në Gjermani

schedule13:19 - 8 Dhjetor, 2022

schedule 13:19 - 8 Dhjetor, 2022

Viti i parë i koalicionit qeverisës u shënua nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Si u pozicionua qeveria e re gjermane dhe cilat janë rezultatet e koalicionit në përvjetorin e parë?

Kancelari Olaf Scholz u shpreh i kënaqur: Në video-mesazhin e tij të fundit, ai foli me maturi dhe në mënyrë reale për arritjet e qeverisë së tij në vitin e parë në detyrë. Mbështetja humanitare, financiare dhe me armë e Ukrainës, sigurimi i furnizimit me energji, promovimi ligjor i energjive të rinovueshme, lehtësimet financiare për qytetarët, rritja e pagave minimale dhe përfitimet e kategorive që kanë nevojë për ndihma sociale, janë disa nga rezultatet e arritura.

Formulimet e kancelarit: “Jemi kujdesur , ta bëjmë të mundur, jemi kujdesur të hedhim themelet”.

Mesazhi midis rreshtave: Ne e kemi situatën nën kontroll – pavarësisht krizave, me të cilat asnjë qeveri federale nuk është dashur të përballet më parë.  Nëse Olaf Scholzit do t’i jepte “koalicionit semaforik”, siç quhet aleanca e SPD, të Gjelbërve dhe FDP-së sipas ngjyrave të tyre partiake, një notë shkollore, sigurisht që nuk do të ishte notë e keqe.

Zgjedhësit e pakënaqur

Shumë qytetarë i shohin gjërat ndryshe. Koalicioni semaforik ka disa muaj që nuk ka më shumicën në sondazhe. Në të njëjtën kohë janë shtuar edhe pakënaqësitë ndaj qeverisë. Vetëm një pakicë mendon ende se koalicioni po e bën mirë punën e tij.

Politologia Ursula Münch nuk dëshiron të gjykojë kaq ashpër. “Unë i jap qeverisë semaforike një notë të kënaqshme,” tha për DW drejtorja e Akademisë për Edukimin Politik në Tutzing. Detyrat ishin të mëdha dhe të vështira. Në vend që të punonte thjesht për zbatimin e programit të koalicionit, koalicioni u detyrua të reagojë ndaj situatave të paparashikueshme dhe u largua nga “disa dogma politike”.

Qeverisja në kohën e “kthesës së madhe”

Aleanca trepalëshe filloi punën më 8 dhjetor 2021 si një “koalicion progresiv”. U premtua se do të vemë të gjithë energjinë tonë në modernizimin e vendit, Gjermania duhet të bëhet më neutrale ndaj klimës, vendi duhet të dixhitalizohet dhe sa më shpejt. Në marrëveshjen e koalicionit parashikohen pikë për pikë projektet e nevojshme.

Por vetëm dy muaj e gjysmë pas marrjes së mandatit, bota ndryshoi. Rusia pushtoi Ukrainën dhe e detyroi botën të bëjë një kthesë të madhe. Kancelari e quaji këtë në Bundestag si “një pikë kthese”. Pasoja e menjëhershme: Scholz njoftoi se do të ndahen 100 miliardë euro për Bundeswehrin dhe se Gjermania do të mbështesë Ukrainën.

Kancelari që ndryshoi doktrinat 

Thyerja e doktrinës së mëparshme shtetërore gjermane për mos dërgimin e armëve në zonat e krizës goditi SPD-në dhe të Gjelbërit në thelb. Për ta bërë këtë, ata duhej të braktisnin bindjet e tyre thellësisht pacifiste. Të Gjelbrit ia dolën dukshëm më mirë, ata tani janë ndër avokatët më të theksuar të dërgesave të armëve në Ukrainë. SPD dhe kancelari Scholz, nga ana tjetër, janë akuzuar prej kohësh se janë shumë hezitues.

Shkencëtarja e politikës Ursula Münch nuk e sheh kështu. “Ishte e drejtë të kërkohej një ekuilibër midis mbështetjes së Ukrainës dhe shqetësimit për përshkallëzimin e luftës.” Është për të ardhur keq që si partnerët evropianë të Gjermanisë, ashtu edhe SHBA-të nuk janë ende të sigurt se “cilën strategji po ndjek në të vërtetë kancelari”./dw./