I ftuar në ‘Abc e Pasdites’ ishte Julian Bulku, balerin, koreograf dhe instruktor i certifikuar i yogës, i cili hodhi më shumë dritë mbi karrierën e tij të gjatë profesionale.
Çfarë mendon Julian për të ardhmen e baletit në Shqipëri?
“Jam i pranishëm në atë zhgarravitjen që kemi ne si njerëzim. Mendoj që shkolla e baletit ka marrë fund, është mendimi im prej një njeriu injorant. Nëse dikush do ta kundërshtoj, le ta bëjë. Talent Shqipëria ka, fëmijët shqiptarë janë të mrekullueshëm. Në kohën tonë kishte mësues që kërcenin dhe ishin totalisht të dhënë pas zanatit. Në këto kohë ato dyer janë bërë si burg që nuk futesh dot. Ka mësues që nuk kanë kërcyer asnjëherë. Vetë në degën e koreografisë në Akademinë e Arteve, ka mësues që nuk kanë lidhje me kërcimin kontemporan.”
Jo vetëm kaq, por Bulku rrëfeu se ka kërkuar të punojë vullnetarisht në Shkollën e Baletit për të dhënë kontributin e tij te të rinjtë e talentuar, dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje nga instancat përkatëse.
“I kam shkruajtur shumë mesazh z. Rama, në Instagram i kam çuar edhe shumë video. Asnjëherë s’kam marrë asnjë përgjigje. As nga Ministrja e Arsimit që i kam shkruar personalisht, kam bërë telefonatë me të. I kam kërkuar të punojë vullnetar në Shkollën e Baletit, kam nevojë që eksperiencën time ta ndaj me të rinjtë në Shqipëri. Është sistemi këtu, i miri duhet të largohet. Pse duhet të largohen kaq shumë njerëz nga Shqipëria, kur ka mundësi të hapen dyert për shumë gjëra.” – zbuloi ai.
Në të gjitha këto vështirësi dhe në këtë demoralizim kolektiv, pasi ka udhëtuar në të gjithë Europën me punën e tij, përse vazhdon të qëndroj Julian Bulku në Shqipëri?
“Shqipëria është kryevepër, unë punoj vetëm tre orë në ditë. Kam gjithë kohën të merrem me veten time. I hipi malit çdo të shtunë e të dielë, të marr makinën time me çadër e të fle jashtë dimër e verë.”, tha koreografi.
Juliani ka bërë bujë me prezencën e tij si balerin dhe koreograf në Eurovision Song Contest, me Kalomira dhe këngën “Secret Combination” ku krijoi koreografinë, apo “My number one” të Helena Paparizou e në fund me koreografinë e Kejsi Tolës në vitin 2009. Ndonëse kanë qenë eksperienca të papërsëritshme, Juliani shprehu se nuk dëshiron t’i përsërisë apo t’i rikthehet Eurovisionit./abcnews.al