Vrasja e gruas shtatzënë nga ish-bashkëshorti, pezullohen 4 policë në Kosovë, priten hetime të thelluara

schedule15:00 - 3 Dhjetor, 2022

schedule 15:00 - 3 Dhjetor, 2022

Autoritetet në Kosovë kanë filluar hetimet në lidhje me vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e maternitetit.

Hetimi është filluar mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që  policia ka trajtuar ndaj autorit të vrasjes për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Po ashtu janë krijuar dyshime të arsyeshme se lidhur me zbatimin e urdhrit të mbrojtjes janë konsumuar veprat penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga zyrtarët e policisë në Lipjan.

Si pasojë janë pezulluar zyrtarë policorë  të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues).

Njoftimi:

Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak  mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që  policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe  Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur H.M .

Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “.

Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë  të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues) .

Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë.

Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga  hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë it me Prokurorinë e Shtetit. /abcnews.al