Në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes me Ganën përveç sulmuesit Luis Suarez ishte i pranishëm dhe trajneri i Uruguajit, Diego Alonso, i cili ka komentuar dy çështjë të Kombëtares së tij, përpara një ndeshjeje vendimtare, si ajo e nesërmja.
Teksa fliste për mbrojtësin e Barçës, Ronald Araujo, tekniku tha se akoma nuk është vendosur nësë 23-vjeçari do të luajë përballë “yjeve të zinj” apo jo.
“Nëse do të luajë apo jo në Katar, kjo do të varet gjithmonë nga unë që jam trajneri, përveç marrëveshjes që bëmë me Barçën. U ra dakord që kur lojtari të ishte mirë, ai mund të luante. Nëse ka një mosmarrëveshje, do të vendosë një palë e tretë. Nëse Araujo është atje, ai do të luajë. Ne folëm për këtë me Barcelonën. Unë fola me Xavi, fola me doktor Prunan, fola me Mateo Alemanyn dhe marrëveshja ishte kjo. Kur të jetë në formë, do të mund të marrë pjesë, por ne nuk mund të caktojmë një datë. Është çështje progresi. Për momentin, kundër Ganës, ai nuk është aty”,- deklaroi Alonso gjatë konferencës.
Kujtojmë se mbrojtësi i Barcelonë, Ronald Araujo u dëmtua në përballjen miqësore të 23 shtatorit përballë Iranit.
Nga ana tjetër tekniku uruguajan mohoi që brenda kombëtares së tij ka një krizë, pas humbjes me Portugalinë.
“Lojtarët erdhën për të biseduar me mua dhe ne e sqaruam çështjen. Asgjë tjetër nuk ka ndodhur. E kuptoj se çfarë donin të thoshin. Ata ishin të qartë. Ndihemi mirë, jo vetëm individualisht, por kolektivisht. Grupi është i fortë, është mirë. Ndihemi të identifikuar me objektivin tonë, në respektin që kemi për njëri-tjetrin. dhe ne e dimë se ku duhet të synojmë dhe çfarë duhet të bëjmë. Për ne është e qartë se nuk i kemi fituar ndeshjet, por ne mbetemi qartësisht të bashkuar”,- është shprehur tekniku Alonso. /i.m /abcnews.al