Frikë për shëndetin e Merkel, kancelarja dridhet sërish

schedule12:10 - 27 Qershor, 2019

schedule 12:10 - 27 Qershor, 2019

Shqetëson sërish gjendja shëndetësore e kancelares gjermane Anxhela Merkel, e cila është parë duke u dridhur në mënyrë të pazakontë në ceremoninë e largimit të ministres së drejtësisë. Por zëdhënësi i saj tha për mediat se Merkel është mirë dhe agjenda e saj do të vazhdojë normalisht. 

Kancelarja gjermane Anxhela Merkel është parë sërish duke u dridhur ndërsa takohej me presidentin Frank Valter Shtajnmajer të enjten, për herë të dytë Brenda dy javëve. Por zëdhënësi i saj tha se ajo është mirë

Merkel, 64 vjeç, po merrte pjesë në ceremoninë për largimin nga posti të ministres së drejtësisë e cila tashmë do të jetë pjesë e Parlamentit Evropian. Në 18 Qershor Merkel u pa në të njëjtën gjendje shëndetësore teksa po priste presidentin ukrainas Zelenski por më vonë ajo tha se ndihej më mirë pasi kishte pirë ujë. Berlini aktualisht është përfshirë nga temperature shumë të larta. I pyetur nëse kancelarja do të merrte pjesë në samitin e G20-ës në Japoni këtë fundjavë, zëdhënësi i saj u  shpreh se çdo gjë po shkonte sipas parashikimeve dhe se kancelarja ndihej mirë.

Kancelarja gjermane po përballet me një agjendë shumë të ngjeshur ditët e fundit. Pasditen e të enjtes ajo do të niset për në Japoni, nga ku më pas do të shkojë në Bruksel ku do të ketë një rol të rëndësishëm për arritjen e një marrëveshjeje në përcaktimin e emrave që do të kenë vendet kryesore në institucionet evropiane në pesë vitet e ardhshme./ABC News Albania 24/7