Nis lundrimin anija e parë turistike në Durrës

schedule15:10 - 26 Qershor, 2019

schedule 15:10 - 26 Qershor, 2019

Me nisjen e lundrimit të anijes së parë turistike në Durrës do të shtohen kapacitetet për turistët që vizitojnë Shqipërinë. Për të promovuar këtë risi ishte dhe ministri i Turizmit Blendi Klosi, i cili në mënyrë simbolike bashkë me përfaqësues të Taks Forcës së turizmit dhe operatorë private zhvilluan udhëtimin e parë me anijen në rajonin e Durrësit.

Në Durrës nisi lundrimin anija e pare turistike. Për ministrin e Turizmit Blendi Klosi, kjo është e vonuar, në një kohë që Vlora këtë sezon ka 27 anije turistike.

“Është pak e habitshme pse kaq vonë, por mbase edhe sot që kemi anijen e parë kuptojmë që sa probleme kemi me këtë fushë, me këtë biznes, me rregullat sesi lundrohet, ku parkohet, cilat janë lehtësirat që duhet të marrin këta investitorë përsa i përket menaxhimit më të thjeshtë të këtyre anijeve turistike dhe të mos ngatërrohen me problematikat që kanë biznesi i jahteve apo gjërave që kalojnë kufirin”.

Biznesin e detit ministri Klosi e shikon si nja nga çështjet për të cilat duhet debatuar, duhet folur dhe mbështetur. Pasi Shqipëria do të disafishonte potencialin e saj turistik në këtë drejtim

“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të disafishojë potencialin e saj turistik duke investuar në biznesin e detit. Ky vend duhet të ishte plot me jahte, me anije të shpejta me gjithë biznesin që ofron deti por dhe shërbimin që duhet të ketë në tokë, për detin”.

Në udhëtimin e tij simbolik me anijen e parë turistike në rajonin bregdetar të Durrësit, ministri i bëri thirrje komunitetit të biznesit të investojë për krijimin e një industrie të re në hoteleri, që është industria e detit.

“Përmes anijes se pare turistike në Durrës, turistet e huaj do të kenë mundësi te vizitojnë bukuritë  e Kepit të Rodonit , të Bisht Pallës, të kenë mundësinë të vizitojnë Durrësin antik nën det, të kenë mundësinë që të vizitojnë pasuritë e mëdha natyrore që kanë zonat e mbrojtura që janë në të dyja krahët e gjirit të Durrësit. Ky det duhet të shfrytëzohet më shumë dhe kjo ka nevojë që edhe ju biznesi lokal i Durrësit dhe i gjithë bregdetit të keni mundësi që të shikoni më shumë shërbime për detin”.

Duke iu referuar Vlorës me 27 anije turistike,  ministri Klosi shpreson që ky biznes do të fillojë edhe në Durrës me shpejtësi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!