Xhanluixhi Buffon drejt rikthimit te skuadra e Juventusit. Zhvillime të reja tek bardhezinjtë edhe sa i përket nënshkrimit me Pogba dhe De Ligt.
Pas zyrtarizimit të trajnerit Mauricio Sarri, skuadra e Juventusit po punon për të përforcuar organikën me lojtarë tepër cilësorë. Mediat në Itali aludojnë për një rikthim të mundshëm të Xhanluixhi Buffon, i cili do të qëndrojë për një sezon në Torino e më pas do të marrë një post drejtuesi. Një lajm i tillë patjetër që ka entuziazmuar tifozët bardh e zi por veteran italian do të jetë vetëm portier i dytë në skuadër pasi Shezni është një titullar i padiskutueshëm. Marrëveshja me kampionët në fuqi të Italisë dhe Buffon mund të arrihet formalisht pasi 41-vjeçari është një lojtar i lirë.
Zhvillime të reja sa i përket nënshkrimit me mbrojtësin e Ajaksit Matias De Ligt. Torinezja “Tuto Sport” raporton se 19-vjeçari ka arritur një marrëveshje me skuadrën kampione të Italisë dhe zyrtarizimi pritet të konkretizohet brenda kësaj jave. Ka mbetur vetëm akordi me skuadrën e Ajaksit e cila kërkon rreth 80 mln euro. Juventus ofron 67 mln plus 13 mln euro bonuse në varësi të paraqitjeve të lojtarit. Barcelona dhe PSG janë ende në garë dhe Juventus duhet të përshpejtojë transferimin e mbrojtësit holandez.
Një tjetër objektiv i skuadrës se Juventusit është edhe Pol Pogba. Manchester United kërkon shifra të papërballueshme për arkat e Zonjës së Vjetër por Juventus e ka gati planin për të arritur te kampioni i botës me Francën. Sponsori kryesor i Juventusit, Adidas pritet të ndihmojë bardhezinjtë në transferimin e futbollistit te Manchester United./ABC News Albania 24/7