Mister me zhdukjen e shqiptares në Greqi, del dëshmia e re: Artemis është parë në një plazh

schedule15:25 - 14 Nëntor, 2022

schedule 15:25 - 14 Nëntor, 2022

Emisioni grek “Dritë në Tunel” ka zbuluar detaje të reja në lidhje me zhdukjen e 19-vjeçares shqiptare Artemis Vasili në Koropi, e cila është zhdukur 2 vite më parë.

Një dëshmi e re e dhënë në emisionin investigativ ka hedhur dritë në çështjen e zhdukjes së Artemis.

Sipas dëshmisë 19-vjeçarja është parë një ditë pas zhdukjes së saj, 16 tetor në plazhin e Shën Marinës. Sipas dëshmitarit e reja shqiptare ishte ulur në një stol në plazhin e Shën Marinës, ndërsa sipas tij dukej se ishte në mendime të thella.

Lexoni KËTU gjithçka nga zhdukja e Artemis Vasilit

Pas dëshmisë familjarët e Arrtemis thanë për emisionin investigativ, e vajza shkonte shpesh herë me shoqet e saj në plazhin e Shën Marinës.

Në fakt, ajo dyshohet se ka shkuar atje me ish të dashurin e saj, para se ai ta refuzonte dhe ta fshinte nga rrjetet sociale.

Ai vetë ka folur për këtë takim, por pa mundur të ndihmojë autoritetet.

“Nëse do të mund të ndihmoja, do ta bëja. Në kohën kur Artemisa u zhduk, unë isha brenda kampit. Unë isha ushtar në Aleksandroupoli”, tha ai.

Është diçka e re kjo dëshmi. Ndërsa më parë personi i fundit e kishte parë në stacionin e autobusit duke pritur dikë, tani vjen një dëshmi që ndryshon të gjitha faktet dhe na thotë se e sheh në plazhin e Shën Marinës. Kjo zonë nuk ishte kontrolluar kurrë. Besojmë se këtë javë do të jepet urdhër për kontroll edhe në këtë zone”, tha avokati i familjes, Anastasios Dugas.

Prokuroria nga Departamenti i Vrasjeve i Sigurimit të Atikës, ka marrë përsipër dosjen e 19-vjeçares dhe është ajo që do të vendosë nëse hetimet do të kenë vazhdimësi ose jo.

Familja ka deklaruar se hetimet për vajzën e tyre duhet të vazhdojnë, për shkak se një person nga rrethi i ngushtë i miqve të saj ka lënë një takim me Artemis në mesditë të datës 16 tetor 2020.
Një i afërm i saj e kishte parë duke pritur për një orë në stacionin e 2-të të Atikës, ku linja kalon në Shën Marina dhe më pas një dëshmi tjetër ka ardhur nga një banore e zonës e cila tha se e ka parë në plazhin e Shën Marinës. Ajo tha se policia duhet të fokusohet në këtë pikë për të kërkuar vajzën e zhdukur.

Zhdukja

Artemis Vasili u zhduk më datë 15 tetor 2020 në Koropi, teksa familjes i kishte thënë se po shkonte për të dhënë një intervistë pune, por nuk u kthye më.
Mediat greke citojnë disa dëshmitarë që janë shprehur se e kanë parë vajzën shqiptare në një gjendje të keqe psikologjike. Vajza është parë duke qarë e vetme në një rrugë kryesore të Athinës.

Tre janë dëshmitë. Konkretisht pak pas zhdukjes, një grua tha se e pa vajzën 19-vjeçare në një gjendje shoku dhe duke qarë e vetme në rrugë. Gruaja iu afrua vajzës dhe u përpoq ta ndihmonte ndërsa Artemis u largua.

Një tjetër dëshmitar deklaroi se duke zbritur në stacionin e autobusit e pa 19-vjeçaren të trembur dhe duke ikur me nxitim. Gjithashtu një informacion tjetër erdhi se vajzës i kishte rënë të fikët në rrugë, por sapo ishin afruar njerëzit ishte shprehur se ishte mirë dhe ishte larguar.
Për herë të fundit vajzën me origjinë shqiptare e kapën kamerat duke shkuar në një stacion autobusi, ndërsa më pas janë vetëm dëshmitë e qytetarëve. /abcnews.al/