Mes argëtimit, rrjeteve sociale dhe stresit të provimeve, flasin studentet

schedule14:22 - 23 Qershor, 2019

schedule 14:22 - 23 Qershor, 2019

Sezoni i provimeve ka nisur për disa universitete në Tiranë. Tri studente të gazetarisë, shprehen për kamerën e ABC News se janë të stresuara dhe në ankth për rezultatet. Pavarësisht këtij shqetësimi, daljet me shoqërinë dhe rrjetet sociale nuk do t’i shkëpusin nga vetja.

Provimet e sezonit janë një betejë për studentët. Shkëputja nga rrjetet sociale dhe argëtimi me shoqërinë është një tjetër. Duke tentuar të krijojnë një balance, kjo periudhë për ta është një aventurë, duke bindur veten të bësh atë që duhet apo atë që do.

Alketa, studente në degën e gazetarisë tregoi se stresi është mik i afërt i saj gjatë sezonit të provimeve.

“Me thënë të drejtën jam pak e stresuar sepse gjithmonë është ai halli i notës në fund”, tha ajo.

Por ky shqetësim nuk e detyron të shkëputet nga ajo që i pëlqen të bëjë.

“Edhe sikur të jem me sezon, edhe sikur të mos jem prapë të njëjtën kohë do i kushtoj shoqërisë, të dalurave”, tha ajo.

Xhoana, një tjetër studente e gazetarisë, u shpreh se provimet janë prioritet dhe se do t’i kushtojë rëndësi, por kjo nuk do ta ndajë nga Instagrami dhe shoqëria e saj.

“Ndoshta më pak seç kam kaluar gjatë vitit shkollor, por kjo nuk do të thotë se do t’i rralloj sepse është e pamundur. Normal që do dal”, tha ajo.

E fokusuar në Instagramin e saj, Biora, tregoi për ABC News se ky sezon provimesh e ka gjetur të stresuar dhe në ankth.

“Këtë sezon jam shumë e stresuar në lidhje me provimet, duke qenë se tek sezoni tjetër nuk është se dola aq mirë. Shpresoj që të dal mirë këtë sezon, kështu që kam njëfarë ankthi”, tha ajo.

Por, sërish, do t’i kushtojë kohë dhe shoqërisë, ndonëse më të limituar.

“Faktikisht është e pamundur që të mos i përdorësh rrjetet sociale, por besoj se këtë periudhë do përpiqem që t’i anashkaloj disi”, tha Biora.

Sezoni i provimeve ka nisur për disa universitete në vend./ABC News Albania 24/7