Vetting: Regjimi i varfërisë

schedule20:45 - 12 Nëntor, 2022

schedule 20:45 - 12 Nëntor, 2022

Nga emisioni Vetting: 

39 ditë para se të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 Taulant Balla u shpreh se edhe 39 ditë i ndante shqiptarët nga largimi i një familje që shtetin e kishte marrë peng. Balla premtoi se dhe 39 kishin mbetur nga dita kur familjet shqiptare të merrnin frymë lirisht, ai u shpreh se Partia Socialiste kishte qëllim ndërtimin dhe funksionimin e shtetit dhe me ardhjen e saj në pushtet Shqipëria do të rilindte.

Kanë kaluar 3130 ditë qysh kur Taulant Balla premtonte në emër të Partisë Socialiste një tjetër Shqipëri, një tjetër familje shqiptare, jo si ajo e kohës së Berishës.

Por si është sot Shqipëria dhe familja shqiptare kur jemi në mandatin e tretë të qeverisjes së socialistëve.

Fshati Pinar nuk është më shumë se 15 km në periferi të kryeqytetit. Është një ndër fshatrat e braktisura nga të rinjtë. Rrugët janë thuajse bosh, në oborret e shtëpive gjen ndonjë të moshuar.

Bukurie Metani është një banore e këtij fshati. Ajo është 76 vjeçe. Jeton vetëm në banesën e saj të dëmtuar nga tërmeti. Bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë, fëmijët janë në emigracion. Bukuria vuan prej disa sëmundjeve. Lista e ilaçeve është e gjatë por ajo i mban mend të gjitha me emra.

Ditën që shkuam në banesën e saj, sapo ishte kthyer nga spitali. Na tregon se si ishte shtuar lista e sëmundjeve që do të shoqërohej patjetër me një listë të re ilaçesh që do të thotë se i duhen shumë më shumë para.

Bukuria merr vetëm 90 mijë lekë pension, ndërkohë lista e ilaçeve që merr në muaj e tejkalon shumën 150 mijë lekë të vjetra duke përfshirë edhe rimbursimin që i takon si pensioniste.

Paratë që merr nga pensioni dhe çfarë i vijnë si ndihmë nga fëmijët, Bukuria i shpenzon thuajse të gjitha për ilaçe. Për të ngrënë mbeten shumë pak.

Ajo thotë se fëmijët nuk janë në gjendje të mirë ekonomike që ta ndihmojnë megjithatë, ata përpiqen ti gjenden me sa mundësi kanë.

Tërmeti i 26 nëntorit ia dëmtoi banesën e saj dhe atë të djalit. Me fondet e rindërtimit, është përfshirë restaurimi i shtëpisë së të birit i cili pas tërmetit u largua në emigracion. Ajo i trembet ndonjë tjetër tërmeti e megjithatë nuk mund të jetojë në banesën e të birit sepse atje mungon energjia elektrike.

Në të njëjtin fshat në Pinar jeton edhe bashkëmoshatarja e Bukurisë, Caja. Ajo është e sëmurë dhe ecën mbi paterica.

I gjithë pensioni i Cajes shkon për ilaçe. Bashkë me bashkëshortin pensionist, marrin 200 mijë lekë të vjetra. Mbijetojnë falë ndihmës së fëmijëve.

Shkojmë në një qytet periferik për të parë se si jetojnë pensionistët atje. Fshati Bersnik është në periferi të qyteti të Gramshit pak metra larg.

Nevruz Seni është 81 vjeç. Ai jeton me bashkëshorten dhe 6 nipërit e tyre. Dy djemtë bashkë me bashkëshortet janë larguar pa dokumente në Greqi për të punuar pasi duhet të ushqejnë fëmijët e tyre.

Bashkëshortja e Nevruzit, Lime Seni tregon jetën e vështirë që ka kaluar, pasi ka vuajtur nga shumë probleme shëndetësore. Pavarësisht viteve të shumta të punës që ka bërë ajo merr vetëm 70 mijë lekë, të cilat nuk i dalin as për të blerë ilaçe.

Dashamir Bitro është një tjetër banor i fshati Bersnik, ai është 56 vjec. Ka vetëm një ditë që është kthyer nga Greqia, ku punonte duke vjelë ullinj. Ka disa dylymë tokë por thotë se nuk ka fitim pasi plehrat kimike kanë çmime të papërballueshme aq sa nuk ka leverdi të mbjellë tokën. Fëmijët janë në emigrim.

Nazif dhe Selvie Shahini punojnë çoban. Ata janë në moshë pensioni por detyrohen të punojnë për shkak se pensionet janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën.

Në fshatin Kodovjat, situata është njësoj. Të braktisur nga të rinjtë të moshuarit e kësaj ane jetojnë në varfëri. Hanife Muha është 75 vjece dhe jeton me bashkëshortin, pavarësisht moshës ajo punon gjithë ditën në bujqësi sepse merr vetëm 100 mijë lekë pension, por tregon se vetëm ilaçet i kushtojnë 84 mijë lekë.

Në fshatin Bersnik takuam vetëm një të ri. Ai është student në Tiranë. Për të ndihmuar familjen ai shkon gjatë verës në Greqi dhe punon në bujqësi. Thotë se të gjithë moshatarët e tij janë larguar nga fshati për shkak se nuk kanë asnjë mundësi ekonomike dhe disa prej tyre e kanë lënë dhe shkollën. E sheh të ardhmen në emigracion.

Si këta banorë të varfër të fshatrave të Gramshit e Tiranës, janë rreth 622 mijë shqiptarë që jetojnë në kushte mbijetese me më pak se 5.5 dollarë në ditë. Kjo shifër është zyrtare e publikuar nga Eurostat. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare jeton në varfëri ekstreme. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj kategorie të shoqërisë jetojnë në kushte primitive me kandil sepse nuk e paguajnë dot energjinë elektrike.

Në gusht të këtij viti, Organizata e Kombeve të Bashkuara publikoi një raport ku evidentohet se Shqipëria është një ndër vendet më të varfra në botë. Sipas raportit, 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshmëria ushqimore. Programi Botëror i Ushqimit në Kombet e Bashkuara (FAO) tregon se tri vitet e fundit rreth 900 mijë njerëz në Shqipëri kanë vuajtur nga pasiguria ushqimore. Ekspertët i komentojnë këto shifra duke e adresuar përgjegjësinë tek qeveria. Sipas tyre, shqiptarët nuk janë një popull i varfër por një popull i vjedhur e grabitur nga qeveritë njëra pas tjetrës.

Raporti i fundit i Bankës Botërore i publikuar në maj të këtij viti evidenton gjithashtu se Shqipëria është ndër vendet e para me nivel të lartë varfërie. Sipas këtij raporti mbi 1/5 e popullsisë në Shqipëri është në nivele mbijetese. Shifrat tregojnë se 1 në 5 njerëz janë të varfër në vend dhe në raport me vendet e rajonit, Shqipëria kryeson me nivelin më të lartë të varfërisë.

Një tjetër statistike po aq shqetësuese vjen nga Eurostat sipas të cilit, 74.7% e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune rrezikon varfërinë. Raporti i fundit i EUROSTAT i publikuar pak muaj më parë, vëren se “intensiteti i punës pasqyron se sa kanë punuar të gjithë anëtarët e familjes në moshë pune, në krahasim me potencialin e tyre të plotë”. Sipas këtij raporti, Shqipëria zë vendin e parë në Evropë me përqindjen më të lartë të popullsisë që është e rrezikuar nga varfëria por edhe nga përjashtimi social. Sipas ekspertëve, Shqipëria është vendi ku politikat sociale nuk kanë ekzistuar asnjëherë.

Kreu i Nismë Thurje, Endri Shabani shpjegon se si qeveria ka përfituar një shumë të caktuar nga rritja e cmimeve por këtë shumë të përfituar nuk e ka rishpërndarë për të zbutur sa do pak problemet sociale të shtresës më të varfër të shoqërisë.

Shabani, flet për statistika paradoksale sa i përket pabarazisë në Shqipëri. Padyshim që është një fenomen mbarëbotëror ai i pabarazisë, por në Shqipëri statistikat janë dëshpëruese. Sipas ekspertëve, politika në Shqipëri është vetëm në funksion të një grushti njerëzish.

Në 30 vjet qeveritë nuk kanë ndërtuar politika konkrete për zhvillimin e ekonomisë. Sipas ekspertëve, këto politika kanë qenë të mbrapshta, në funksion të një grupi shumë të vogël njerëzish të cilët nuk stimulojnë zhvillimin e ekonomisë. Për mungesë të këtyre politikave, shumica e shqiptarëve sot vuajnë në varfëri.

Mënyra se si qeveritë kanë vendosur politikat e taksimit, sipas ekspertëve janë arsye për të stimuluar varfërinë dhe pabarazinë.

Eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj, paralajmëron një të ardhme shumë të zymtë për ekonominë shqiptare, ku pritet sipas tij të shtohet në vazhdimësi varfëria ekstreme. Sipas ekspertit, një krizë si ajo e Greqisë në vitin 2008, mund të jetë tek porta dhe nëse nuk do të ketë hapa konkretë, atëherë Shqipëria rrezikon të pozicionohet zyrtarisht në vendet e botës së tretë. Po të njëjtin parashikim ka edhe ekspertja Suzana Guxholli sipas së cilës nëse vazhdojmë me këto ritme pa ndryshuar politikat ekonomike atëherë Shqipëria do të varfërohet më tej.

Sa më të varfër aq më të bindur, se varfëria është skllavëri. Sa më shumë të varfër aq më shumë skllevër, më shumë votues që shkojnë me sy mbyllur drejt kutive të votimit ku iu intereson vetëm thesi i miellit.