TIRANË- Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, ka ngritur shqetësimin për rënien e shpejtë të euros kundrejt lekut, duke e cilësuar situatën jo shumë pozitive për ekonominë.
Sipas tij, shqetësimi kryesor nuk është vetëm zhvlerësimi i euros, por ritmi i shpejtë me të cilin ka ndodhur ky proces.
Ai theksoi se një periudhë prej dy apo tre vitesh është shumë e shkurtër krahasuar me kohën që euro ka qenë në treg, duke i gjetur të papërgatitura sidomos bizneset eksportuese.
Sefa u shpreh se një pjesë e këtyre bizneseve kanë pësuar goditje të forta dhe mund të kenë vështirësi për t’u rikuperuar, ndërsa për disa të tjera rikthimi në gjendjen e mëparshme mund të zgjasë më shumë se tre vite.
Ai theksoi se edhe në nivelet aktuale, kursi i këmbimit mbetet në një situatë kritike. Sipas tij, ndërhyrja e vazhdueshme e Bankës së Shqipërisë ka qenë vendimtare për të shmangur një përkeqësim edhe më të madh të situatës.
Me nisjen e sezonit turistik, eksperti thotë se pret që euro sërish të zhvlerësohet në raport me lekun.
“Në fakt, problemi më i madh i rënies apo i zhvlerësimit të euros kundrejt lekut është shpejtësia me të cilën ajo ka ndodhur. Dy apo tre vite nuk janë asgjë, krahasuar me periudhën që euro është në treg, pra mbi dy dekada.
Na ka zënë në një formë të papërgatitur dhe pjesa më e madhe e bizneseve tona, sidomos ato eksportuese, kanë marrë një goditje nga e cila duket se do të jetë e vështirë rikuperimi.
Në mos një pjesë e tyre nuk do të arrijnë të rikuperojnë, një pjesë tjetër do t’i duhen më shumë se tre vite për t’u kthyer në gjendjen ku ishin më parë.
Edhe në këto nivele që jemi, jemi në një situatë kritike sa i përket kursit të këmbimit.
Po të mos kishte qenë ndërhyrja e vazhdueshme e bankës qendrore, atëherë do të ishim në një situatë më të keqe.
Nëse Banka e Shqipërisë nuk do të kishte ndërhyrë në kohë dhe shpejt, vërtet do ta kishim përjetuar një situatë më të rëndë. Ndërhyrja ka qenë e domosdoshme dhe e nevojshme. Ishin të dyja kushtet që e bënë shpëtimtare.
Efektet në ekonomi janë mëse të ndjeshme. Jemi në prag të sezonit turistik dhe shumica dërrmuese e turistëve të huaj që do të vijnë në Shqipëri, monedha që ata përdorin do të jetë euro. Kjo do ta shtojë akoma më shumë problemin në vijim.
Mund të shkojmë në nivelin 92 ose 93 lekë. Në vlerësimin tim, kjo do të jetë”, tha ai./abcnews.al


