Zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, deklaroi në emisionin “Sheshi i Dollarit” se qeveria ka një buxhet ambicioz për rritjen e pagave, me synimin që ato të afrohen me mesataren e BE-së në momentin e anëtarësimit.
Ai theksoi se rritja e pagave në sektorin publik po ndikon edhe në sektorin privat, ndërsa Shqipëria po shënon rritje të lartë të të ardhurave për frymë krahasuar me periudhën pas komunizmit.
“Kemi një buxhet ambicioz për pagat; ne duam që në ditën e hyrjes në BE pagat të jenë afër mesatares së BE dhe kemi pasur një axhendë ambicioze për rritjen e tyre. Janë rritur pagat edhe në sektorin publik, gjë që ndikon në rritjen edhe në sektorë të tjerë në privat. Shqipëria në BE është një nivel më i lartë jetese dhe të ardhura më të larta për frymë. Ndonëse janë goxha më poshtë krahasuar me BE, vendi ynë ka rritjen më të lartë të të ardhurave për frymë që pas komunizmit.
Në disa sektorë ka mundësi më shumë për punonjës që kanë ardhur, edhe për punonjësit e huaj. Rritja e pagave, që të jetë e shëndetshme, duhet të shoqërohet me rritje të produktivitetit; duhet ta marrin më seriozisht edhe rritjen në kapacitetet e tyre. Produktiviteti në punë, përveç aftësive të punonjësit, varet edhe nga industria ku punësohet. Nga njëra anë duhet të punojmë me investimet në ato degë që prodhojnë një vlerë të shtuar, si p.sh. bujqësia organike.”


