Nuredin Dumani del nga burgu, çon SPAK-un në “strofullat” e porositësve për serinë e vrasjeve

schedule14:41 - 12 Nëntor, 2022

schedule 14:41 - 12 Nëntor, 2022

Nuredin Dumani, njëri nga 4 bashkëpunëtorët e prokurorisë së posaçme SPAK, ka dalë nga ambientet e burgut dhe nën shoqërinë e oficerëve të BKH-s, është çuar në vendet, ku ai ka treguar se ka zhvilluar takimet dhe rënë dakord për marrjen e porosive të vrasjeve.

Dumani, është çuar në disa vende në Tiranë, Durrës, në Rrogozhinë dhe Elbasan, vende këto ku ai ka identifikuar si pika takimi mes personazheve të botës së krimit, nga të cilët ka marrë porosi për të kryer vrasje.

Nuredin Dumani, është dëshmitari kryesor dhe më i rëndësishme i SPAK, në raport me tre bashkëpunëtorët e tjerë si Henrik Hoxhaj, Klevis Alla dhe Euglen Halili.

I shoqëruar nga oficerët e BKH-së dhe Policisë së Shtetit, Dumani mësohet të jetë çuar në Elbasan, duke identifikuar pozicionin e goditjes në 29 Mars 2022, në zonën e Papërit.

Pikërisht në këtë vend, ai ka treguar trajektoren e lëvizjes, vendin e dorëzimit të një automatiku kallashnikov tek një person që mbërriti atë ditë nga Elbasani në Papër si dhe momentin final të goditjes me armë nga Talo Çela.

LEXO TË GJITHA LAJMET MBI NUREDIN DUMANIN 

Njëherësh, Dumani ka identifikuar dhe pallatin në Elbasan ku ka zhvilluar takim me Erjon Alibej dhe Arjan Spahinë, nga të cilët ka lidhur një marrëveshje për spastrimin e 7 personave.

Dumani ka çuar SPAK-un dhe BKH-në dhe në shtëpinë e braktisur në Krastë, ku siç ka treguar në rrëfimin e tij, në atë shtëpi ai ka takuar Florenc Çapjan, Bledar Muçën dhe Ervis Çaushollin, ku së bashku kanë diskutuar planin për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini.

Njëherësh Nuredin Dumani, i ka treguar SPAK dhe pikat e takimit që ka bërë me disa personazhe në Tiranë, ku një ndër to është dhe lokali ku është takuar me Festim Qolin dhe avokatin Alban Bengasi, sipas Ora News.

Po kështu Dumani ka çuar SPAK dhe tek hyrja e një garazhdi në Durrës, ku siç pretendon ai, së bashku me Talo Çelës kanë vrarë për llogari të Fetsim Qolit, Fatmira Dedaj, nënën e Ervis Dedaj.

Në rrëfimin e tij dhënë në SPAK, Dumani ka treguar dhjetëra emra të botës së krimit, me të cilët ai ishte takuar dhe kishte rënë dakord për të kryer vrasje.

Pjesën më të madhe të vrasjeve Dumani i ka kryer me pagesë, duke ekzekutuar shokët e tij të ngushtë me të cilët ai disa kohë më parë kishte kryer vrasje.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!