Deri ku shkon ngërçi i marrëdhënieve Kosovë-SHBA? Arifaj: Nuk ka ftohje mes dy vendeve, partia e Kurtit rrezikon mbështetjen popullore

schedule18:02 - 11 Nëntor, 2022

schedule 18:02 - 11 Nëntor, 2022

Analisti Ardian Arifaj në një lidhje me emisionin “Ballkan” në Abc të gazetares Linda Karadaku, ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve, duke parë qëndrimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë që ai drejton.

I pyetur nga gazetarja Karadaku, se sa rrezikon Kosova pas kundërshtive të Albin Kurtit për të mos shtyrë marrëveshjen për targat, Arifaj theksoi se ajo që rrezikon është qeveria dhe jo qytetarët apo shteti i Kosovës.

Sipas tij do të jetë partia e Kurtit ajo që do të humbasë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës, pasi siç dihet historikisht SHBA-të kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Pjesë nga biseda:

Karadaku: Ardian ajo që po diskutojmë tani ka të bëjë me ngërçin mes Kosovës dhe SHBA. Ajo që duhet në sipërfaqe është që qeveria e Kosovës nuk pranoi të shtynte marrëveshjen për targat. Ndërkohë që dy ministra nga qeveria Kurti kanë shtyrë vizitat në SHBA. Deri ku shkon ky ngërç?

Arifaj: Ajo që mbetet për tu parë është se si do të shkojnë zhvillimet. Kosova duhet të jetë e fortë në çështjet euroatlantike, SHBA ka qenë mbështetësi kryesor i Kosovës. Pra nëse do të ketë ftohje nuk do të thotë se do e pësojë e tërë Kosova, por po shohim një parti politike që po i kthen fjalën SHBA-së, mund të pësojë në popullaritet. Prandaj është e çuditshme pse qeveria refuzon të dëgjojë këshillat e amerikanëve. Rekomandimet kryesore edhe të medias dhe analistëve ka qenë që të dëgjohen amerikanët që mos të cënohet përkrahja e tyre. Kosova ka qenë më shumë e rezervuar ndaj Europës se sa ndaj Amerikanëve. Kosova nuk do ta humbasë përkrahjen e SHBA-ve, pasi Amerika nuk heq dorë nga Kosova. Por Kosova do të ngecë në përkrahjen euroatlantike. Kjo do të thotë një ngecje prapa për Kosovën.

/Taulant Halili/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!