Veliaj: Amerikanët frenuan dhunën në protestë

schedule11:42 - 22 Qershor, 2019

schedule 11:42 - 22 Qershor, 2019

Kryebashkiaku Erjon Veliaj, në vijim të takimeve të tij elektorale për një takim të dytë, tha se protesta e mbrëmshme e opozitës ishte e qetë, pas ndërhyrjes së ambasadës amerikane. Veliaj tha se me ndihmën e ambasadave të mëdha në Tiranë, nuk do të lejohet djegia e Shqipërisë as këtë javë përpara zgjedhjeve.

Erjon Veliaj nuk ngurron të përgëzojë kundërshtarin politik. Pas 5 muajsh përplasjeje mes mazhorancës dhe opozitës, kryebashkiaku i Tiranës ka një mesazh për njeriun që i liroi zyrën.

Por lavdërimi i opozitës mbaron me kaq, kur Veliaj shpjegon arsyen se pse sipas tij protesta e fundit e opozitës nuk pati dhunë.

“Dje pashë protestën e tyre. Falë ndërhyrjes energjike të SHBA, BE, OSBE dhe vendeve anëtare, protesta nuk degjeneroi në dhunë. Ndaj, urime Lulit, do të thotë që e paskan mundësinë të sillen si njerëz, e paskan aftësinë të sillen si qytetarë, e paskan të gjithë shansin që njerëzit e tyre të mos i trajtojnë si një kope që thotë: Skape kryeministrin, skape Parlamentin, skape Bashkinë! Pra, Partia Demokratike ka fuqi t’i trajtojë njerëzit me dinjitet. Një parti që për 9 protesta me radhë i trajtonte njerëzit si Balo dhe Lordi, skape Balo, skape Lordi! Në PS i trajtojmë njerëzit si njerëz dhe jo si kope për t’iu sulur godinave, jo si kope për të shkatërruar pronën publike, jo si kope për të djegur shkollat. Në momentin që i shikon njerëzit si të lidhur me litar, skape Lordi, skape Balo, skape Xhina, do të thotë që s’ke respekt për njerëzit. Fakti që një ditë u thua, nesër do ju shqyejmë dhe pastaj kur dikush bërtet i lidh me zinxhirë, do të thotë që i trajton njerëzit si të dorës së dytë, si mjete, si vegla për të kapur ti pushtetin, por jo për t’i respektuar, se një lider politik nuk u thotë njerëzve skape për institucionet”, tha Veliaj.

Banorëve të Petrelës, Krrabës dhe Bërzhitës ju tregoi diferencën mes partisë së tij dhe kundërshtarëve.

Megjithëkëtë, në monitorimin e kryebashkiakut, numri i protestuesve ishte në rënie. 8 ditë përpara zgjedhjeve, Veliaj jep garancinë se pse zgjedhjet do të shkojnë pa probleme.

Veliaj ju kërkoi mbështetësve të tij maturi e qytetari deri ditën e votimit./ABC News Albania 24/7