Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Punë, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ka theksuar se ka rritje të buxhetit në vitin 2023, i cili është dy herë më i lartë se ai në vitin 2013.
“Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2023 parashikohet në vlerën 95,1 miliard lekë dhe zë rreth 14 % të totalit të shpenzimeve publike ose 4.5% të PBB. Ky buxhet është 3,5% më i lartë se buxheti aktual apo 3,2 miliard lekë më shumë. Përsa i përket të dy sektorëve të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale buxheti për shëndetësinë parashikohet në vlerën 64.5 miliard lekë dhe për mbrojtjen sociale dhe për programet e saj 30,6 miliard lekë. Në këtë buxhet janë përfshirë politikat e reja, gjithashtu edhe politikat ekzistuese të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky buxhet është dy herë më i lartë se buxheti i krahasuar me 2013 dhe 30% më i lartë krahasuar me buxhetin 2019, duke e marrë si një vit, i cili ishte edhe para pandemisë. Për sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, buxheti financon 6 programe. Përsa i përket financimeve në lidhje me investimet kap vlerën e 3.6 miliard lekë”, tha Manastirliu në hyrje të fjalës së saj.
Ministrja Manastirliu u shpreh se buxheti i vitit 2023 do të financojnë programet e parandalimit të sëmundjeve, duke shtuar se do të financohet mbulimi i vaksinës së re kundër Human Papilloma Virus.
“Buxheti i vitit 2023 financon Programet e mbrojtjes së shëndetit publik, nëpërmjet mbështetjes në vazhdim të financimit të programit të përgjigjes së impaktit ndaj covid 19, testim dhe vaksinimit anticovid, vaksinimit ndaj gripit, programit të plotë të imunizimit të fëmijëve si dhe financimit për të parën herë të vaksinave falas kundër Human Papilloma Virus, nga e cila përfitojnë rreth 15.000 vajza. Programet e parandalimit të sëmundjeve në kujdesin parësor nëpërmjet Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë për qytetarët 35-70 vjeç si dhe programeve të parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm për kancerin e gjirit dhe kancerin e qafës së mitrës për gratë nga ku do të përfitojnë përfitojnë analiza dhe kontrolle periodike falas mbi 490 mijë qytetarë në vit. Do të vijojmë me Programin e kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç dhe programin e kujdesit dentar në shkolla, ku do të jenë përfitues mbi 270 mijë fëmijë”, u shpreh Manastirliu.
Duke folur për rimbursimin e barnave, Manastirliu tha se buxheti i vitit 2023 do të zgjerojë listën e barnave të rimbursueshme.
“Buxheti 2023 siguron mbështetjen e mbi 410 mijë qytetarëve, në përgjigje të trajtimit të sëmundjeve kronike dhe impaktit post-covid për rimbursimin e barnave falas, nëpërmjet rritjes së financimit të skemës së rimbursimit në vlerën 11,4 mld lekë ose 3,6% më shumë se në vitin 2022”, tha Manastirliu.
Duke folur për rritjen e pagave për personelin mjekësor, Manastirliu tha se kjo rritje është parashikuar të vijojë edhe në buxhetin e vitit 2023: “Përsa i përket rritjes së buxhetit për vitin 2023 do t’i dedikohet gjithashtu rritjes së pagave për punonjësit e shëndetësisë, duke filluar nga korriku vitit 2023 do të ketë një rritje sërish me 6%”.
Një zë të rëndësishëm në buxhetin e vitit 2023 kanë investimet në kantierin e shëndetësisë, për të cilat Manastirliu tha se ato nuk do të ndalen në të gjithë vendin që nga qendrat shëndetësore, spitalet dhe pajisjet bio-mjekësore.
“Përfundojmë Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, përfundojmë rehabilitimin e Spitalit Pediatrik në QSUT, fazën e dytë.
Fillojmë projektin e rehabilitimit të Spitalit të Kardiokirurgjisë dhe atij Psikiatrik në QSUT. Dhe gjithashtu nisim dhe rehabilitimin e spitaleve rajonale të Dibrës, Lezhës dhe Spitalit Bashkiak të Krujës. Fillojmë rehabilitimin dhe pajisjen për poliklinikave në spitalet rajonale të Elbasanit, Shkodrës dhe Durrësit dhe finalizojmë rikonstruksionin për poliklinikat e Gjirokastrës dhe Dibrës. Përfundojmë rehabilitimin e Spitalit Rajonal Kukës të fazës së tretë të tij. Me programin e rehabilitimit të qendrave shëndetësore dhe ambulancave sigurojmë rehabilitimin e 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave për vitin 2023, duke i çuar në 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca të rehabilituara që me fillimin e këtij programi”, tha Manastirliu”.
Buxheti i vitit 2023 do të mbështesë të gjitha kategoritë në nevojë me fokus të veçantë nënat kryefamiljare me mbi tre fëmijë.
“Me buxhetin 2023 financojmë politikën e re, të mbështetur nga nisma e Këshillimit Kombëtar, për mbështetjen e grave të papuna me 3 dhe më shumë fëmijë. Ky program planifikon të financohet në vlerën 600 milion lekë dhe mbështet çdo grua me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjec, të papuna, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë/muaj, duke subvencionuar nga shteti masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, si një mbështetje direkte për kujdesin në 5 vitet e para të femijës. Buxheti 2023 për këto programe është rritur me 10,3 % krahasuar me buxhetin e vitit 2022 dhe nëse bëjmë dhe një krahasim me vitin 2013 buxheti për skemën e mbrojtjes sociale është rritur me 5.5 miliard lekë më shumë”, tha Manastirliu.
Buxheti në 2023, Manastirliu: Mbështet rritjen e pagave për mjekët, zgjerimin e listës së barnave falas dhe investimet në shëndetësi
schedule12:06 - 31 Tetor, 2022
schedule 12:06 - 31 Tetor, 2022