Vendimi për negociatat në Tetor, Cakaj: Nuk është lajm inkurajues

schedule19:30 - 18 Qershor, 2019

schedule 19:30 - 18 Qershor, 2019

Bashkimi Evropian do të marrë në fund të Tetorit vendimin përfundimtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendet anëtare kërkojnë më shumë kohë për të shqyrtuar raportet e Komisionit Evropian për vendet aspirante.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ku është shprehur se për Shqipërinë do të jepet vendim pozitiv në Tetor. Nga ana tjetër ai tha se kjo shtyrje e vendimit nuk është një lajm inkurajues, sepse Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave që vitin e kaluar.

“Shqipëria mbetet shpresëplotë për një vendim pozitiv në muajin Tetor. Shpresa jonë në fakt nuk do të thotë pritje pasive, por duhet të marrë trajtën e një angazhimi aktiv për t’i paraprirë pozitivisht vendimit të Tetorit për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shtyrja e vendimmarrjes sidoqoftë nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë. Nuk mund të jetë një lajm inkurajues sepse Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave që vitin e shkuar, që në Qershor të viti 2018. Vonesa e vitit të shkuar nuk është shkaktuar aspak nga rezultatet e padiskutueshme të Shqipërisë në agjendën evropiane, por nga shpërpushja midis rekomandimeve teknike të Komisionit dhe llogarive politike të Këshillit. Nga kjo pikëpamje nënvizoj se Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave që vinin e shkuar”, tha Cakaj./abcnews.al