Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë paralajmëruar për një përgjigje në shkallë “të pashembullt”, nëse Koreja e Veriut kryen testin e shtatë të bombave bërthamore.
Uashingtoni dhe aleatët besojnë se Koreja e Veriut mund të rinisë testimin e bombave bërthamore, për herë të parë që nga viti 2017.
“Ne u pajtuam se një përgjigje në shkallë të pashembullt do të ishte e nevojshme nëse Koreja e Veriut kryen testimin e shtatë bërthamor”, tha në një konferencë për media në Tokio zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun-dong.
Cho po fliste përkrah homologëve të tij nga Japonia dhe SHBA-ja, zëvendësministrin e Jashtëm Takeo Mori, dhe zëvendëssekretaren amerikane të Shtetit, Wendy Sherman.
Lexo edhe: Pse Kim Jong-un po rrit presionin dhe a do hakmerret Koreja e Veriut?
“Ne i bëjmë thirrje [Koresë së Veriut] që të përmbahet nga provokimet e mëtejme”, tha Sherman, duke shtuar se ky shtet bën veprime “të pamatura dhe jashtëzakonisht destabilizuese” për rajonin.
Koreja e Veriut ka testuar një numër të paprecedentë të armëve gjatë këtij viti, duke lëshuar dhjetëra raketa balistike, përfshirë edhe një që fluturoi mbi Japoni.
I zemëruar nga aktivitetet ushtarake të Koresë së Jugut, Phenjani javën e kaluar lëshoi një breshëri plumbash nga bregdeti i tij, në shenjë paralajmërimi për fqinjin e tij në jug.
Në shtator, avionmbajtësi amerikan USS Ronald Reagan, dhe anije të tjera, mbajtën stërvitje të përbashkëta ushtarake me forcat jugkoreane në përgjigje të testimeve të raketave balistike nga Veriu. Kjo ishte hera e parë që nga viti 2017 që një avionmbajtës amerikan u përfshi në stërvitje ushtarake me Korenë e Jugut./REL/