“Kërcënohet Lulzim Basha”, PD: Lleshaj shkeli ligjin

schedule12:06 - 17 Qershor, 2019

schedule 12:06 - 17 Qershor, 2019

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka informacione për cenim të sigurisë së kryetarit të PD dhe ka thirrur oficerin e gardës të kreut të Bashës, për t’i ofruar masa sigurie shtesë. Por PD akuzon ministrin Lleshaj për kërcënim politik dhe i kërkon sqarime pse nuk e ka trajtuar këtë rast në mënyrë ligjore. Ndërkohë presidenti Meta ka thirrur kreun e SHISH, Helidon Bendo, ku i ka kërkuar informacion mbi natyrën e kërcënimeve ndaj shefit të opozitës.

Siguria e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, është e kërcënuar. Këtë informacion i ka përcjellë Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj oficerit të grupit të shoqërimit të kryedemokratit Lulzim Basha, Feim Dollapaj.

Ministri Lleshaj e ka thirrur oficerin e Bashës në zyrën e tij pasditen e 14 Qershorit në zyrën e tij, duke i komunikuar se ka informacione mbi rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit të PD.

Ministri Lleshaj i ka kërkuar oficerit të gardës Dollapaj t’i bëjë me dije nëse z.Basha kërkon masa shtesë sigurie. Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ai që ka publikuar këtë informacion në një letër zyrtare që i dërgon Ministrit të Brendshëm, duke e akuzuar se po bën shantazh për qëllime politike ndaj kreut të opozitës, në vend që të bëjë detyrën.

“Në bazë të ligjit, ju duhet ta përcillni informacionin që keni tek drejtuesit e Gardës së republikës, që janë autoriteti përgjegjës për të vlerësuar masat e nevojshme të sigurisë ndaj një personaliteti shtetëror që gëzon mbrojtje të posaçme, si dhe tek institucionet ligjzbatuese që kanë përgjegjësinë ligjore për të gjurmuar, vlerësuar dhe neutralizuar çdo rrezik të tillë.”

Sekretari i përgjithshëm i PD e mbyll shkresën e tij duke i kërkuar ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj që ta informojë menjëherë dhe zyrtarisht PD-në mbi arsyen se përse e ka trajtuar këtë çështje në anashkalim të ligjit.

Ndërkohë Presidenti i Republikës ka kërkuar informacione për kërcënimet ndaj sigurisë së kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Kreu i shtetit ka thirrur në zyrë mesditën e sotme kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar Helidon Bendo dhe komandantin e Gardës së Republikës Gramoz Sako.

Mësohet se Presidenti ka kërkuar informacion mbi natyrën e kërcënimeve ndaj shefit të opozitës, si dhe për masat që ka marrë Garda e Republikës para një situate të tillë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!