Sebino Plaku do të luajë në Superligën e Kosovës sezonin e ardhshëm. Sulmuesi i njohur nga Shqipëria, firmosi kontratë për klubin e Llapit
Karriera iu dëmtua shumë, por nuk iu shkatërrua.
Sebino Plaku kaloi muajt e vështirë pas përjashtimit të Kamzës nga Superliga, për shkak të rrahjes së arbitrit, dhe tani do të fillojë një aventurë të re.
Njëri nga sulmuesit më të mirë të futbollit shqiptar do të luajë sezonin e ardhshëm në Kosovë, pasi firmosi me Llapin.
Kontrata me klubin e qytetit të Besianës është 1-vjeçare me të drejtë rinovimi për një sezon tjetër.
Klubi kosovar lajmëroi zyrtarisht në faqen e tij në rrjetet sociale, akordin me futbollistin 34-vjeçar, duke e quajtur një nga sulmuesit me më shumë përvojë dhe më të dëgjuar të Shqipërisë këta vite.
Në një karrierë të gjatë, Plaku veshi disa nga fanelat më të rëndësishme të Superligës, duke luajtur me Partizanin, Dinamon, Flamurtarin apo Skënderbeun, ndërsa u aktivizua edhe jashtë vendit në Finlandë apo Poloni.
Llapi shpreson të përmirësojë pozicionin në tabelë në krahasim me edicionin që sapo u mbyll, kur doli në vendin e tretë, pse jo, të fitojë titullin e parë kampion në historinë e tij./ABC News Albania 24/7