Sali Berisha i është përgjigjur deklaratës së kryeministri Rama se do të kalojë në vetting pasurinë e pedagogëve.
Gjatë një takimi në seli me Departamentin e Arsimit, Berisha i bëri thirrje dhe mjekëve që të ndjekin shembullin e protestës së pedagogëve. Ai theksoi se PD-ja do të bëjë gjithçka për të vendosur bashkëpunim me të gjitha ekselencat shqiptare kudo që janë.
Berisha: Ky departament ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ne, që është arsimi në tërësi dhe arsimi i lartë në veçanti. Sot arsimi njëlloj si shoqëria shqiptare, përjeton në një mënyrë pothuaj me shpejtësi të pabesueshme, një rrënim krejtësisht të diktuar nga politika, fund e krye, të dëmshme dhe shkatërruese, nëse marrim së bashku treguesit në tërësi, do të gjejmë se asnjë luftë civile nuk mund t’i rrënojë treguesit e një kombi. Në 8 vite këtu është larguar mbi 27% e popullsisë, në 8 vite janë mbyllur me qindra shkolla, është përgjysmuar numri i studentëve, njëlloj si në diktaturë, ndalojnë kohën ose ngadalësojnë kohën. Ky njeri ndaloi me një urdhër prej injoranti, hakmarrës, doktoraturat në universitetet publike. Një vendim të tillë e merr vetëm ai që nuk ka ‘abc’ e kërkim shkencor dhe jetës akademike, ose e merr ai që i urren të dyja. Njeri i cili e shteroi tërësisht fondin për shkencën, centralizoi më shumë se në diktaturë.
Arrin deri në konceptin të marrë punëtorë nga jashtë, por tani duhet të marrim studentë dhe të mos çojmë në shkollë fëmijë shqiptarë, se sipas tij nën këtë mesatare nuk do fusim. Ky njeri shet injorancë dhe mashtrime, e dëgjoj sot tek thotë për mjekët ‘për fat të mirë nuk kemi mungesë mjekësh dhe infermierësh, por Italia ka 40 mijë mungesë’. Të shprehesh në këtë mënyrë duhet të jesh 40 mijë herë injorantë. Italia është vendi i dytë në botë për numrin e mjekëve. Para saj është vetëm Gjermania. U ndala në këto elementë për të theksuar se në çfarë gjendje të mjerueshme është sot arsimi i lartë dhe shoqëria, dhe ne së bashku duhet të bëjmë gjithçka për shpëtimin e arsimit të lartë. Jemi të bashkuar këtu, dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi gjithnjë e më shumë sepse ky po ndjek një politikë kundër elitës së kombit.
Në vend që të trajtojë, të adresojë problematikat e mëdha i kërcënon si në diktaturë “do t’iu bëj vettingun”. Do t’ia bëjmë ne vettingun e Surrelit atij, sepse e mori detyrën e kryeministrit me saraje. Do t’ia bëjmë vettingun pa asnjë diskutim. Flet ky për pedagogët, bën moral. Ka firmosur qindra miliona euro vetëm për xhepin e tij dhe të grupit kriminal me të cilin i ka ndarë ato. Nuk ka kryeministër në botë që mund t’i lejojë vetes të blejë një instalacion 4 milionë euro se i pëlqen të qetësojë xhepin dhe sytë. Nuk ka kryeministër si ky që shëtit me avion ën dispozicion, 150-300 mijë euro udhëtimi. Ky tani do të shesë moral. Unë vlerësoj shumë përpjekjet e sindikatës për të mbrojtur interesat tuaja, por i bëj thirrje mjekëve të frymëzohen nga shembulli juaj. Ju po protestoni të shpëtoni universitetet sepse janë në rrënim.
Edhe një herë, Berisha tha se PD-ja së shpejti do të fillojë protestat e fuqishme në mbështetje të pedagogëve dhe shqiptarëve./abcnews.al/