Këtë të martë në programin “Abc e Pasdites” me Ermal Peçin ishin të ftuar Zhaklin Lekatari, Shkëlqim Balili, Sara Gjordeni dhe Argjend Rraci, të cilët biseduan për testin e virgjërisë, i cili është zyrtarisht i ndaluar me ligj në Kosovë.
Argjendi pohoi se në Kosovë lajmi i vendimit për ta quajtur vepër penale bërjen e testit të virgjërisë i ka ndarë njerëzit në dy grupe; ata që e përkrahin dhe ata meshkuj që e duan gruan të paprekur.
“Hija e tradicionales është akoma mes nesh. Kemi pasur edhe reagime kundër këtij projektligji, sepse sidomos një pjesë goxha e mirë e gjinisë mashkullore e duan ende të paprekur gruan”, tha Argjendi.
Zhaku në këtë moment ndërhyn duke thënë që nuk e shohin si të barabartë gruan. Ajo nënvizoi se testin e virgjërisë se e sheh të domosdoshme në rastet përdhunimeve.
“Edhe vajzat e gratë janë vetë viktima të këtij realiteti, e pasurojnë këtë mentalitet duke praktikuar kthimin e virgjërisë, duke gënjyer, manipuluar, duke përdorur këto metodat me pambuk, duke e vlerësuar ende virgjërinë si një tregues i moralit të tyre”, tha Zhaku.
Doktori gjinekolog theksoi se virgjëria në kuptimin e plotë të fjalës është mungesa e aktivitetit seksual, ndërsa për rikthimin e virgjërisë nënvizoi se gjithçka është mashtrim.
“Edhe në kohën e diktaturës na ka kanë vënë në kërkesë të vazhdueshme për riqepjen e virgjërisë. Kjo është vetëm mashtrim, mashtrim total. Nga ana kirugjikale nuk mund të meremetohet plotësisht himeni, është e padiskutueshme, himeni kërkon operacion, do hapur, do gjakosur gjithë vendin, do prerë dhe do vendosur. Është shumë e vështirë të bëhet një himenografi. Kjo në fakt është jo e kulturës, jo e ndërgjegjësimit, jo e profesionalizmit, por është mashtrim”, pohoi Doktori.
Ndalur nga faktorët social që mund të ndikojnë, doktori tha se feja është shumë ndikuese, ndërsa Sara Gjordeni tha se nuk mendon aspak që është feja.
“Ne të rinjtë nuk jemi shumë praktikues të fesë, nuk mendoj se është ky faktori kryesor. Nuk i referohen si fenomen në bazë të fesë. Nuk i referohen. Ai nuk thotë psh.:’unë jam mysliman ndaj nusen time e dua të virgjër’.” /abcnews.al