Zaev: Ja si u arratis Gruevski

schedule22:53 - 14 Qershor, 2019

schedule 22:53 - 14 Qershor, 2019

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka sqaruar me detaje se si është arratisur nga Maqedonia parardhësi i tij Nikolla Gruevski, përfshirë kalimin tranzit në Shqipëri. Ndërkohë, zyrtarët hungarezë kanë mbrojtur dhënien e azilit për Gruevskin, me argumentin se jep informacione mbi Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Zoran Zaev në intervistën për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemajne Cajtung” ka zbardhur detaje të reja për arratisjen e ish-Kryeministrit Nikola Gruevski, i cili fitoi azilin në Hungari. Gruevski ishte dënuar me dy vite burg për shkak të keqpërdorimeve gjatë blerjes së një mercedesi luksoz.

“Tani e dijmë se si është arratisur. Gruevski me ashensor ka zbritur në bodrumin e ndërtesës, kurse atje është fshehur në bagazhin e makinës që e ka dërguar jashtë vendit. Në Shqipëri e ka pritur një automjet diplomatik hungarez”, tha Zaev.

Në pyetjen se përse gjahu pas Gruevskit ka filluar qysh të hënën, edhe pse të premten ai duhej të paraqitet për të vuajtur dënimin me burg, Kryeministri Zaev ka theksuar se kështu janë rregullat për të dënuarit.

“Në vendin tonë është e zakonshme që kriminelët që thirren të premten për të vuajtur dënimin me burg, fundjavën e kalojnë në shtëpi. Nuk kishim mundësi këtë ta ndryshojmë vetëm për Gruevskin”, deklaroi Zaev.

Ndërkohë, Shefi i diplomacisë hungareze Peter Sijarto, në Kuvendin e Hungarisë ka mbrojtur azilin e ish-kryeministrit  Nikolla Gruevski si dhe takimin e tij të fshehtë me zëvëndës sekretarin shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë në një banesë në Budapest, duke theksuar se deputeti i deritanishëm dhe kryetari i nderit i VMRO-DPMNE-së jep informacione për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Sijarto në pyetjen e deputetëve nga opozita hungareze replikoi duke thënë se komunikojnë që të marrin, siç thotë, informacione sa më autentike për atë që ndodh atje, duke pasur parasysh përvojën e tij 10-vjeçare si kryeministër.

Ai shtoi se dënimi me burg dhe arratisja e Gruevskit është një “standard i dyfishtë” sepse, sic tha, edhe kryeministri aktual Zoran Zaev ka qenë i akuzuar për korrupsion, por është amnistuar nga Presidenti i vendit./ABC News Albania 24/7