Viti i ri akademik nis me protestën e pedagogëve

schedule16:27 - 16 Tetor, 2022

schedule 16:27 - 16 Tetor, 2022

Nga Gerta Vasku

Ky vit i ri akademik do të nisë me protesta. Sikurse kanë paralajmëruar, pedagogët do të bllokojnë procesin mësimor që nis të hënën pasi qeveria nuk ka plotësuar kërkesat e tyre, ku me kryesorja mbetet rritja e pagave.

Protesta e pedagogëve do të jetë e përditshme dhe në fakultete të ndryshme pritet që ajo të mbështetet edhe nga studentët. Greva nuk do të nis orën e parë të mësimit. Pedagogët në disa fakultete kanë vendosur të presin studentët që ulen për herë të parë në auditor.

Përfaqësues të Sindikatës deklaruan në protestën e fundit se nga ora 10 deri në orën 12 do të qëndrojnë të grumbulluar para fakulteteve çdo ditë në pritje të përgjigjes së autoriteteve shtetërorë. Qeveria vendosi tu rrisë pagat pedagogëve me 7% nga buxheti i shtetit ndërsa këta të fundit e cilësuan këtë vendim qesharak.

Sa i përket shtesës prej 8% që sipas ministres së Arsimit do të lëvrohet nga fondet e universiteteve pedagogët mendojnë se tarifat e studentëve duhet t’u kthehen atyre përmes shërbimeve dhe jo të shkojnë për paga.

E nesërmja do të jetë protesta e katërt e pedagogëve, pasi ata i lanë afat qeverisë deri në fundjavë për t’ju përgjigjur kërkesave. Pak ditë më parë studentët i paraqitën një peticioni në Kryeministrisë ku kërkojnë që të ndihmohen financiarisht për shkak të krizës së çmimeve. /abcnews.al/