Rreziqet nga amnistia fiskale dhe “pasaportat e arta”, ambasadorja: KE këshillon t’i jepet fund

schedule11:15 - 13 Tetor, 2022

schedule 11:15 - 13 Tetor, 2022

Në raportin e Progresit për Shqipërinë vendi paralajmërohet se nismat për amnistinë fiskale dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta” rrezikojnë të bien ndesh me normat e Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku  dhe ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Christiane Hohmann mbajtën sot një konferencë lidhur me Raportin e Progresit 2022 për Shqipërinë.

Ambasadorja tha se KE (Komisioni Evropian) ka këshilluar t’i jepet fund dhënies së nënshtetësisë në këtë lloj forme, por theksoi se secili vend duhet të vendosë vetë. Ndërsa bisedimet për amnistinë fiskale janë duke vijuar.

Hohmann: BE respekton sovranitetin e cilitdo shtet për të vendosur se çfarë skemash do të ketë për dhënien e nënshtetësisë. Por kjo lloj skeme do të vinte në pah disa risqe që janë shprehur qartë në rajon.  KE sugjeroi që shtetet t’i jepnin fund dhënies së nënshtetësisë në këtë lloj forme. Secili shtet duhet të vendosë vetë se si do të vazhdojë me këtë çështje. Për sa i përket amnistisë fiskale, ne po vijojmë bisedimet.

Balluku: Unë do ta nis nga amnistia. Së pari Komisioni vë në dukje që është bërë një progres për luftën kundër pastrimit të parave. Ky është vlerësim i Komisionit përmes këtij elementi. Sipas Komisionit Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar.

Për sa i përket amnistisë fiskale, vlerësimi në raport është hipotetik. Pra mund të vërë në rrezik progresin në luftën kundër pastrimit të parave dhe  është e paevitueshme që ky vlerësim të  jetë hipotetik duke qenë që sot e kësaj dite mbetet akoma një draft që e kemi të hapur për diskutim, me partnerët tanë. Ne e garantojmë ambasadoren dhe Komisionin që ky do të jetë një progres që do të vijojë diskutimet dhe nuk do të qëndrojmë pa marrë parasysh qëndrimet e Komisionit.

Ndërsa për pasaportat e arta i jemi referuar praktikave të vendeve të tjera të BE, të cilat sot e kësaj dite i kanë këto programe nën proces, vazhdojnë dhe i aplikojnë. Ne i jemi referuar atyre për atë që i sjellin endit dhe benefitet që kanë marrë duke u bazuar në eksperiencat më të mira të këtyre vendeve evropiane.

/Abcnews.al/